MENU
klinika

Elbasan

Fuqizohet rrjeti i pajisjeve radiologjike në 18 spitale

26.09.2022 - 12:24

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka parë nga afër investimin e ri për grafinë e shkallës së lartë të teknologjisë në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ku deklaroi se po fuqizohet rrjeti i pajisjeve radiologjike në spitale dhe poliklinika.

“Ne jemi duke ecur paralelisht në disa drejtime. Jo vetëm përsa i përket përmirësimit të flotës ekzistuese të pajisjeve, por edhe për rritjen e teknologjisë së shërbimit të radiologjisë. Ndaj jo vetëm nëpërmjet investimit që ne jemi duke bërë në vlerën 4.2 milion euro në gjithë Shqipërinë për fuqizimin e shërbimit të radiologjisë me 18 grafi të reja, me 4 skanera, një angiograf i ri që është duke u instaluar në Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, por nga ana tjetër jemi duke fuqizuar ekipet tona mjekësore dhe stafet e tyre. Pesë mjekë i janë shtuar Spitalit të Elbasanit, pjesë e ekipit të 100 mjekëve të rinj të atashuar në spitalet rajonale dhe bashkiake”, tha Manastirliu.

Duke folur për investimet e reja, Manatirliu tha:

“Ne do të vijojmë investimet, ndaj planifikojmë që me buxhetin e vitit 2023 ne do të fillojmë investimin në Poliklinikën e qytetit, që do të përmirësojë shërbimin për sa i përket kujdesit ambulatory për qytetarët e Elbasanit. Por nga ana tjetër, do të japim mundësinë që të kemi edhe shërbime të tjera ambulatore të vendosura në Poliklinikë pasi ne duam të zgjerojmë kapacitetet, edhe gamën e aparaturave të imazherisë”, tha Manastirliu.

Në kuadër të planit të përballimit të Covid19 dhe emergjencave shëndetësore, po kryhen investime në spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake për pajisjen dhe rinovimin e flotës së aparaturave biomjekësore të teknologjisë së lartë, me vlerë 4.2 mln euro.

Fuqizimi i flotës së pajisjeve mjekësore do të sjellë në strukturat spitalore katër skanera të rinj të teknologjisë së fundit. Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të pajiset me një angiograf të ri. Edhe spitalet e tjera rajonale dhe bashkiake si dhe poliklinikat e Vorës dhe Paskuqanit po pajisen me 18 grafi të reja dhe 4 ECHO, pjesë e investimit në flotën e aparaturave moderne të teknologjisë së lartë. Lista e plotë e spitaleve dhe poliklinikave ku do të instalohen pajisjet e grafive dhe ECHO.