Kupa e Shqipërisë nisi me ndeshjet e raundit të 1/16-tave në Grupin B teksa padyshim surpriza mund të konsiderohet suksesi i Flamurtarit në shtëpi përballë Vllaznisë.
Edhe pse ishin shkodranët ata që kaluan të parët në avantazh me anë të Vulajt në minutën e 11-të, vlonjatët gjetën forcat për të reaguar dhe përmbysën shifrat brenda pjesës së parë falë dy golave të Fernando dhe Dishës.
Në fraksionin e dytë, kuqezinjtë menaxhuan më së miri avantazh ndërsa nisen të favorizuar për ndeshjen e kthimit me Vllazninë që do të duhet të impenjohet më shumë në shtëpi për të vijuar aventurën në Kupë.
Në ndeshjet e tjera, Kukësi nuk pati probleme në transfertë ndaj Labërisë duke fituar me rezultatin 0-3. Verilindorët shënuan dy herë në pjesën e parë me anë të Dacit dhe Barbosës, ndërsa në të dytën, trefishoi Gyasi.
Kjo ishte edhe fitorja e parë për trajnerin e ri të Kukësit, Enkeleijd Dobi, i cili debutoi me humbje në kampionat ndaj Partizanit. Ndërkohë, Skënderbeu mposhti pastër me rezultatin e thellë 1-5, Maliqin me korçarët që shënuan nga dy gola për pjesë teksa shkëlqeu Belajdi Pusi me një dygolësh.
Sakaq, Laçi triumfoi në transfertë me rezultatin 0-2 ndaj Devollit, ndërsa Bylis mposhti me rezultatin 0-3 Pogradecin teksa bie në sy barazimi 0-0 i Luzit me Teutën. Ndeshjet e kthimit, do të luhen në datën 12 tetor.
Rezultatet e plota
Besa-Korabi 1-1
Devolli-Laçi 0-2
Flamurtari-Vllaznia 2-1
Kastrioti-Vora 1-0
Labëria-Kukësi 0-3
Luzi-Teuta 0-0
Maliqi-Skënderbeu 1-5
Pogradeci-Bylis 0-3
Turbina-Erzeni 1-2