Kurrë më parë në vitet e fundit përfaqësimi i Evropës në Botëror nuk ka qenë kaq i zbehtë, të paktën deri më tani. Italia është pa diskutim mungesa më e madhe, një Botëror pa Italinë nuk ka shumë shije, fundja janë 4 herë fitues.
Për fat të keq, as disa përfaqësuese të mëdha nga kontinenti i vjetër nuk vijnë në kushte ideale, nuk vijnë me stofin e favoritit. Franca, kampione në fuqi, e mbylli Ligën e Kombeve në vendin e tretë, më saktë është e treta me e dobët.
Dukshëm “gjelat” nuk vijnë në këtë Botëror në formë. Finalistet e “Euro2020”, Anglia e mbylli Ligën e Kombeve në vendin e fundit, ra një ligë më poshtë.
As Gjermania, një tjetër përfaqësuese “big” nuk është se po shkëlqen, përkundrazi, Flick nuk po gjen formulën magjike ashtu si tek Bayern, e mbyllën grupin pas Italisë dhe Hungarisë. Pak më mirë duken Belgjika, Portugalia dhe Spanja, por jo mjaftushëm për të fituar statusin e favoritit.