Shkatërrimi i sistemeve më të avancuara të artilerisë ruse si dhe i blindave nga Ukraina me dronë të armatosur turk “Bayraktar” TB2 e ka “marrosur” botën, dhe shumë shtete i janë shtuar listës së kompanisë turke “Baykar” për të blerë dronë të armatosur.
Selcuk Bayraktar, i cili drejton kompaninë Baykar në Stamboll bashkë me vëllain e tij Haluk, ka thënë për Reuters disa muaj më parë se dronët janë dëshmia më e qartë sesi teknologjia po revolucionarizon sot luftërat bashkëkohore. “Shtete nga gjithë bota duan të jenë klientët tanë”,-tha Selcuk Bayraktar. Duket se shumë shpejtë një klient do të jetë edhe Shqipëria, e cila do të blejë gjashtë dronë të armatosur “Bayraktar”, fjala e fundit e teknologjisë. Droni “Bayraktar” është (burimi sipas Reuters) ndoshta droni më i shitur dhe më i kërkuar sot në botë.
Një javë më parë, Kryeministri Edi Rama zbuloi se Shqipëria do të blejë dronë të armatosur “Bayraktar” nga Turqia. Shefi i qeverisë tha se do të blejnë 6 dronë të cilët do të shërbejnë për qëllime civile.
“Jemi në përfundim të marrëveshjes për të marrë edhe ne dronë “Bayraktar”, duke parë dhe rrjedhjen e ngjarjeve…do t’i marrim të armatosur. Për qëllimet që kemi dhe për shërbimin që do të na bëjnë janë absolutisht me çmim të arsyeshëm. Dronët “Bayraktar” janë me pako, janë dy plus dy që do të thotë, një plus dy, që do të thotë do marrim gjashtë. Do të shërbejnë edhe për qëllime civile, për kontrollin e territorit, për ndërtimet e pa leje, për mbrojtjen e pyjeve, për ndjekjen e personave në kërkim, për kultivimin e narkotikëve e kështu me radhë. Dronët kanë pjesë të paketës edhe kamerat inteligjente.”– tha Kryeministri Edi Rama në një intervistë për emisionin “Opinion”.
Droni TB2 ka krahë 12 metra dhe mund të ngrihet në 25,000 këmbë lartësi përpara se të sulet me bomba për të shkatërruar tanke dhe artileri me ndihmën e një lazeri .TB2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë. Droni mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij. Është i pajisur me 4 raketa, e bën përfekt, por në një shkallë më të vogël, punën e një bombaruesi me vlerë 200 milionë dollarësh. Ndryshimi është se mund të transportohet edhe më një kamionçinë dhe nuk ka nevojë për aeroporte e baza ajrore ushtarake. Pesha maksimale e dronit bombardues shkon deri 650kg-700kg. Deri në nëntor 2021, në mbarë botën dronët tip TB2 kishin bërë 400.000 orë fluturim në total. Çmimi për një njësi të Bayraktar TB2 nuk është bërë publik, por në disa ëebsite sugjerohet se është 5 milionë euro.
Droni turk “Bayraktar” është tepër i aftë për të goditur pjesët më pak të mbrojtura të frontit të armikut, si dronë bombardues godet pamëshirë kamionët e logjistikës, qendrat e komunikimeve etj. Droni është pa pilot, por tre persona janë përgjegjës për drejtimin e tij, që sigurisht qëndrojnë në komoditet dhe të sigurt larg baltës së luftës. Ata janë komandanti, “piloti” dhe operatori.
Kur droni “Bayraktar” është në një mision luftarak, të tre qëndrojnë në stacionin e përcaktuar të komandim-kontrollit, që përgjithësisht është një kamion, ku janë instaluar radarë të fuqishëm. Kjo njësi është e aftë që në të njëjtën kohë të komandojë tre dronë bombardues, në të është instaluar një software i veçantë që merr koordinatat ekzakte nga fusha e betejës si dhe kalkulon në çast opsionet më të mira për të sulmuar.
Droni i armatosur turk ka “shkëlqyer” qysh kur bëri provat e mara në maj të vitit 2014, por u përdor në Forcat e Armatosura Turke një vit më vonë. Dronët TB2 janë përdorur nga Turqia në operacionet “kundër terrorizmit” kundër kurdëve, Por, ndikimi i tyre shkatërrues u vu re botërisht jo vetëm gjatë luftës në Ukrainë por edhe gjatë konfliktit në fund të vitit 2020 mbi rajonin e Nagorno-Karabakut, kur dronët TB2 “Bayraktar” u përdorën nga Azerbajxhani kundër armenëve.
Një vit më parë ishte gazeta turke “Yeni Şafak”e cila shkruajti se Shqipëria do shpenzonte 8 milionë euro për blerjen e dronëve superinteligjentë, tip IHA dhe SİHA prodhuar nga “Baykar Defense” në Turqi.
Mjetet ajrore pa pilot, që prodhohen në industrinë e mbrojtjes me armatim quhen tip SIHA dhe kanë të integruara municione, ndërsa dronët tip IHA funksionojnë pa armatim e shërbejnë për të monitoruar dhe mbledhur informacion.
Gjatë vizitës në Stamboll në qershor të vitit 2021, kryeministri Edi Rama njoftoi për herë të parë arritjen e një marrëveshje për pajisjen e vendit me disa dronë inteligjentë që do të shërbenin për monitorimin e territorit. Rama shpërndau edhe dy fotografi nga takimi me ekspertët turq dhe tha se bëhej fjalë për dronë që do të mblidhnin dhe do përcillnin dhëna në kohë reale mbi rrugët, bregdetin, tokën bujqësore, pyjet rendin publik e te tjera.
Në 22 qershor 2021, qeveria ndryshoi buxhetin me akt normativ për të shpenzuar 1 miliard lekë për Ministrinë e Mbrojtjes për pajisjen me dronë në kuadër të marrëveshjes me Turqinë dhe masave për rritjen e kontrollit të territorit dhe sigurisë kombëtare në tërësi. Edhe pse në relacion nuk specifikohet se bëhet fjalë edhe për dronë ushtarakë. Ambientet e fabrikës ku prodhohen disa variante të dronëve “Bayraktar” u vizituan vitin e kaluar edhe nga ministri i brendshëm Bledi Çuçi.