Ish-presidenti i Shqipërisë Bamir Topi së bashku me ish-kryeministrin Pandeli Majko janë nisur për në Hagë për t’i vizituar ish-krerët e UÇK-së që po qëndrojnë prej rreth dy vitesh në paraburgim.
Pamje teksa po hipin në aeroplan Majko e Topi ka publikuar Jetlir Zyberaj nga ekipi i Pacollit.
Pacolli ka planifikuar t’i çojë në Hagë ish-presidentët e ish-kryeministrat e Kosovës dhe të Shqipërisë, për t’i takuar katër ish-krerët e UÇK-së, por ftesën e tij e refuzuan ish-krerët e shtetit të Kosovës.
Ish-presidentët e Shqipërisë, Alfred Moisiu, Rexhep Meidani dhe Bamir Topi është konfirmuar se e kanë pranuar ftesën e Pacollit, së bashku me ish-kryeministrin shqiptar, Pandeli Majko.
Ish-presidentët e Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga kanë refuzuar ftesën e Pacollit.
Sejdiu ditë më parë u shpreh se nuk dëshiron të flasë, dhe se qëndrimi i tij dihet.
“Shiko, unë e kam dhënë dje një përgjigjje. Nuk kam çka shtoj tjetër dhe të komentoj më shumë. […] Unë e kam dhënë një përgjigje dje dhe s’kam çfarë merrem më tepër. E kam dhënë qëndrimin tim dhe pikë. Qëndrimin tim e kam dhënë edhe në konferenca për shtyp vazhdimisht, apo në debatet që i kam mbajtur dhe i kam qëndrimet që i dini të gjithë”, ka thënë Sejdiu duke e përmendur se “prezumimi i pafajësisë është parimi themelor në drejtësi”.