MENU
klinika

E thonë shifrat

Messi po shkëlqen, Ronaldo në krizë totale

29.09.2022 - 22:13

Leo Messi dhe Cristiano Ronaldo kanë mbajtur një garë të gjatë e të ethshme për të dominuar futbollin evropian. Kjo ka ndodhur për më shumë se një dekadë, në të cilën ata kanë stimuluar njëri-tjetrin për të fituar çmime dhe tituj individualë.

Megjithatë, fillimi i këtij sezoni i ka vendosur dy lojtarët në dimensione shumë të ndryshme. Ndërsa argjentinasi mburret me një fillim të bujshëm të sezonit, portugezi ofron një performancë diskrete, shumë larg nga bollëku i golave të viteve më parë.

Messi duket se e ka kapërcyer periudhën e tranzicionit që e detyroi të kalojë nga Barcelona në Paris dhe është bërë një pjesë bazë te PSG. Toni i mirë që ka treguar te skuadra franceze është shoqëruar me shkëlqim me kombëtaren argjentinase, ku vazhdon të grumbullojë rekorde personale.

Ai i ka zgjidhur dy miqësoret e fundit kundër Hondurasit dhe Xhamajkës me dygolësha në secilën prej ndeshjeve. Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” është bërë futbollisti i parë argjentinas që arrin 100 fitore me Albiceleste.

Deri më tani, këtë sezon, Messi ka shënuar 10 gola në 13 ndeshjet e luajtura mes PSG dhe Argjentinën. Sulmuesi ka vënë të gjithë talentin e tij në shërbim të skuadrës së tij, gjë që pasqyrohet në 8 asiste që ka dhënë me skuadrën pariziene, më shumë se kushdo tjetër në skuadrën e drejtuar nga Christophe Galtier.

Këto shifra janë në kontrast me ato të Cristiano Ronaldos, i cili pas një vere të trazuar, në të cilën nuk ia arriti synimit për t’u larguar nga Manchester United, po kalon një fillim jo më pak të stuhishëm të sezonit.

Në tetë ndeshjet që ka luajtur me Manchester United ka shënuar vetëm një gol, një shifër diskrete që mund ta shoqërojë vetëm me një asist që ka shpërndarë në dy ndeshjet që ka luajtur me kombëtaren e Portugalisë. Ndërsa Messi është referenca absolute dhe e padiskutueshme për Argjentinën, Cristiano Ronaldo po kalon një moment të vështirë edhe me kombëtaren e tij.

Para ndeshjes së fundit kundër Spanjës, disa nga shtypi portugez dhe tifozët filluan të pyesin nëse sulmuesi i Manchester United duhet të startojë. Humbja 0-1 ndaj Spanjës e la Portugalinë jashtë “Final Four” të Ligës së Kombeve, situatë që bie ndesh me gjendjen e lumturisë së Messit dhe Argjentinës, skuadër që ka 37 ndeshje radhazi pa humbje.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN