Spiridon Iloja është i pari shqiptar që ka incizuar pllaka gramafoni me këngën patriotike dhe këngë popullore, që në vitin 1916. Janë 16 pllaka ku tingëllimën e zërit të tij të ëmbël, por regjistrimi më i rëndësishëm mbetet ai i Himnit Kombëtar.
Muzikanti dhe atdhetari i njohur, lindi në Korçë, më 30 shtator 1876. Mërgoi që herët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku krahas punës së përditshme, ndoqi dhe studimet e larta për muzikë. Në New York, Amerikë, hapi një kafene të vogël, ku edhe themeloi shoqërinë e parë diskografike me këngë shqip, në vitin 1923. Nën drejtimin e tij, diskografia luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës shqiptare, në vitet 1920-1940.
Në regjistrimin e parë prej tij, me numër regjistrimi E-3948, himni kombëtar u këndua nga Spiridon Ilo dhe tenori arbëresh, Gjuzeppe Mauro. Në vitet `20 botoi dhe shpërndau kartolina me temë patriotike.
Shumë vepra me temë patriotizmin mbajnë firmën e tij, si: “Të gjithë ne o djema”, “Mall për mëmëdhenë dhe për nënon”, “Sa bukur rronim”, “E bukur era”, “Lutje të dashurës” dhe “Kujtim i paharruar” – poezi që veç temës patriotike, i këndojnë magjisë së dashurisë. Aktiviteti i tij artistik u zhvillua edhe gjatë viteve Amerikë. Në vitin 1916, ai botoi në Boston, librin “Dëshirat e zemrës” me 64 faqe, që e ribotoi të plotësuar më pas, me 94 faqe, më 1918. Librin ua kushton shokëve të tij, 6 dëshmorëve të rënë në fushën e Korçës. Pandërprerë i lidhur me iluminizmin e Rilindjes, i përkushtuar në lëvrimin dhe pasurimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare, boton në Boston, më 1916, komedinë me një akt “Vërtet ëndërr”.
Spiridon Ilo u aktivizua në disa fusha të artit. Në vitin 1909, në Korçë u vu në skenë drama “Besa” e Sami Frashërit, ku ai interpretoi rolin e Rexhepit. Ilo dha kontribut edhe në fushën e grafikës. Revista “Përparimi” e viteve 1917-1920, në Nju Jork, njoftonte se Spiridon Iloja kishte botuar portretin e Skënderbeut, me përmasa 50 X 60 cm dhe një tablo që e paraqet heroin mbi kalë, me shpatë në dorë. Shumë grafika të tij, janë fotografuar edhe nga Marubi.
Mbas disa vjetësh u rikthye në Rumani dhe në vitin 1926 u vendos përfundimisht, në Korçë. Më 1 prill të vitit 1945, iu akordua pension, si Patriot i Rilindjes Kombëtare. Kallëpet e pllakave të gramafonit, Spiridon Ilo i solli në Shqipëri dhe më 1946, ia dhuroi Komitetit Ekzekutiv. Vdiq në Korçë, në vitin 1950.