Më 24 shtator, Enti Rregullator i Energjisë miratoi propozimin e Furnizuesit të Shërbimit Universal për aplikimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për konsumin mbi 800 kWh për abonentët familjarë, pas kërkesës që qeveria kishte hedhur për diskutim që në fillim të verës duke e argumentuar me thatësirën dhe shtrenjtimin e energjisë në bursën ndërkombëtare.
Kështu nga dita e nesërme (1 tetor) sipas këtij vendimi abonentët familjarë që shpenzojnë mbi 800 kWh supozohej që të paguanin energjinë me 42 lekë për kWh.
Por, kryeministri Edi Rama ndryshe nga çfarë vendosi ERE, doli sot në një videolive në Facebook për të lajmëruar se është tërhequr nga vendimi për shtrenjtimin e energjisë për ata që kalojnë fashën 800 kWh.
“NJË LAJM POZITIV dhe pse nuk do të hyjë në fuqi në tetor fasha 800KË për konsumatorët familjarë”, thuhej në mbishkrimin që shoqëronte videon e Ramës, me kryeministrin që shpjegoi më tej vendimin: “Në 1 shtator, kur ne vendosëm fashën me çmim të mbrojtur deri 800 kWh, kërkesa për energji nga KESH ishte rreth 17,000 kWh, sot është rreth 11,000 kWh”.
Ndërkohë, në një njoftim për shtyp të mbrëmjes, vetëm pak orë pasi kryeministri foli dhe shpjegoi me argumentet e tij qëndrimin për koston që do të ketë fatura e energjisë, ERE sqaron se ka publikuar tashmë listën e re të çmimeve, për ata familjarë që konsumojnë mbi 800 kWh.
Sipas, ERE këto çmime janë të aplikueshme për periudhën 1 tetor deri më 31 dhjetor 2022. Vlejmë të theksojmë se reagimi i sotëm i ERE-s vjen pas akuzave të shumta se ky institucion është i varur nga qeveria dhe merr vendime të motivuara politikisht.
Ndërkaq, vendimi i sotëm i qeverisë për t’u tërhequr nga aplikimi i fashës 800 kWh e detyron praktikisht OSHEE që përmes Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) t’i drejtohet ERE-s me një tjetër kërkesë.
Kjo kërkesë me shumë gjasë do të dërgohet për të kërkuar rivendosjen e çmimeve që aplikoheshin për abonentët familjarë para vendimit të marrë në mbledhjen e 24 shtatorit.
Njoftimi i plotë:
Për të gjithë konsumatorët familjare që furnizohen nga shërbimi universal.
ERE ka publikuar tashmë çmimet e përditësuara për konsumin e energjisë elektrike nga konsumatorët familjarë, që konsumojnë mbi 800 kWh. Aktualisht këto çmime janë të aplikueshme për periudhën 1 tetor deri më 31 dhjetor 2022.
Me VKM nr. 584, datë 08.10.2021, Qeveria ka shpallur gjendjen e emergjencës së furnizimit me energji elektrike.
Në situatën aktuale të luhatshmerisë së lartë të burimeve të furnizimit me energji elektrike, nga prodhimi vendas, vendimmarrja e Entit Rregullator të Energjisë mbi ndryshimin e çmimit të shitjes së energjisë elektrike, është objekt rishikimi peroidik. Ky rishikim do të kryhet në përputhje me ndryshimet e kostove të sigurimit të energjisë elektrike.
ERE ka detyrimin të reflektojë çmimet e energjisë së konsumatorëve fundorë, kostot e furnizimit sipas burimit të siguruar të energjisë.