MENU
klinika

"Thaçi pak i lodhur, më dhimbset..."

Pacolli rrëfen bisedat brenda mureve të Hagës

01.10.2022 - 15:05

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka zbuluar detaje nga vizita në Hagë së bashku me ish-presidentët shqiptarë Alfred Moisiu, Rexhep Meidani, Bamir Topi dhe ish kryeministrin Pandeli Majko.

Ata vizituan dje ish krerët e UÇK-së që ndodhen në paraburgimin e Hagës. Ai ka treguar se fillimisht ishin takuar me Kadri Veselin, më pas me Thaçin dhe të tjerët.

“Një vizitë 6 orë brenda. Kishim kohë boll për të biseduar. U ndamë në dy dhoma, po dyert ishin të hapura. Patëm një bisedë të hapur, nuk kishte përgjim, që të rrinte dikush aty e të na bënte ne të kufizoheshim në bisedën tonë. U takuam në fillim me Veselin, me presidentin Thaçin, kemi biseduar 2-3 orë me ta e më pas me Krasniqin e Selimin. E pashë që morali është aty, por dhe dëshira për të vënë drejtësinë ishte aty. Aty akuzohen si grup kriminal, por jo pikërisht këta me emër me mbiemër”, ka thënë Pacolli në një interviste për Top News.

Ish-presidenti Pacolli ka thënë se më së shumti i dhimbset Jakup Krasniqi, meqë thotë se po e përjeton keq gjithë situatën.

Për ish-presidentin Thaçi ka thënë se dukej paksa i lodhur por moralisht mirë.

“Deri tani nuk ka përgjegjësi individuale, nuk kemi dëgjuar. Më dhimbset Z. Krasniqi së është i moshuar, e përjeton keq këtë, dhe unë e pyeta: Po shkruani libra? Tërë kohën tha jam duke ia dedikuar kësaj çështje. U preka kur kupton se njeriut i mbetet vetëm të shkruajë. Kurse Thaçin e pashë pak të lodhur, por moralisht mirë”, ka shtuar Pacolli.

Për Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin ka thënë se janë mirë.

“Ndoshta prej sportit që bëjnë, por ashtu m’u duk. Ndërsa Veseli dhe Selimi ishin shumë mirë. Rexhepi kishte rënë disa kilogramë duke bërë sport, dhe ushqimin e kanë të kontrolluar. Asgjë nuk është konfirmuar për akuzat që i janë drejtuar atyre. Derisa të dëshmohet që kanë bërë një faj, atëherë janë të pafajshëm. Ata po paguajnë çmimin e lirisë tonë. E shtetit tonë. Për Kosovën e lirë”, ka shtuar tutje Pacolli.

“Shpresoj të jetë e fundit. Por duhet ditur që dhe prokurorët gjenden në një pyll ku nuk duket rrugëdalja, janë të stërmbytur me dokumenta. Thuhet se ka 400 mijë dokumente e dëshmitarë të pakuptimtë për akte. Kur të mbyllet kjo çështje, do ishte gjëja më e mirë”, ka theksuar Pacolli.