MENU
klinika

Presidenti i Real Madrid

“UEFA po fundos futbollin, Superliga në proces”

02.10.2022 - 13:50

Florentino Pérez ka hapur Asamblenë e Real Madridit në mbrojtje të projektit të tij, duke vënë në pah dy trofetë e fituar sezonin e kaluar dhe, siç pritej, ka kritikuar UEFA-n për formatin e ri të Ligës së Kampionëve, sepse thotë se “do të përshpejtojë rënien e futbollit”.

Presidenti i bardhë, i cili insiston se Superliga të rivitalizojë futbollin si biznes, ka vënë në pah edhe shëndetin financiar të klubit që drejton, i cili ka realizuar fitime sezonin e kaluar prej 13 milionë eurosh, pavarësisht vështirësive të Covid-it.

Një vlerësim maksimal për Carlo Ancelotti: “Ai ka bërë histori përsëri me Real Madrid, i vetmi me katër Champions. ‘Carletto’ ka fituar zemrat e madridistëve. Përveç Champions League, ne fituam La Liga-n, me Benzema si golashënuesi më i mirë dhe Carlo si i vetmi që ka fituar titullin në pesë ligat kryesore. Ai është gjithashtu trajneri me më shumë Superkupa në Evropë”.

Prognoza për skuadrën aktuale: “Është ende e uritur për fitore dhe e di nivelin e kërkesës. Ne kemi filluar duke fituar të gjitha ndeshjet, diçka që nuk ka ndodhur nga sezoni 1968-1969 me 9 fitore në 9 ndeshje. Janë 23 tituj në 12 vitet e fundit. Dua të them se ne jemi krenarë për akademinë tonë, kemi shtatë lojtarë nga skuadra aktuale që vijnë nga ajo”.

Ai vijon ta mbrojë projektin e Superligës: “Për të zgjidhur një problem, fillimisht duhet të pranoni se keni probleme. Sporti ynë i dashur është i sëmurë në Evropë, po humbet lidershipin e tij. Të rinjtë janë gjithnjë e më pak të interesuar, kërkojnë një produkt cilësor që nuk ofrohet nga kompeticionet aktuale evropiane.

Me respektin më të madh ne e kuptojmë se këto kompeticione duhet të ndryshojnë për të ofruar ndeshjet më të mira gjatë gjithë sezonit, për ta kthyer futbollin në vendin e tij. Nadal dhe Fererer kanë luajtur 40 herë ndër vite, Nadal dhe Djokovic…

Nëse shikoni Liverpool-in, ne kemi luajtur 9 herë kundër tij në 67 vite. Cili është qëllimi për t’i privuar tifozët nga këto lojëra? Nëse rregullat e futbollit ishin ekstrapoluar në sporte të tjera, vështirë se Nadal dhe Federer do t’i kishim parë përballë tri herë gjatë gjithë këtyre viteve, për arsye që nuk i kuptojmë.

UEFA po shkon në drejtim të kundërt. Modeli i ri vetëm shërben për t’i larguar më tej tifozët dhe përshpejtuar rënien e futbollit. Nuk ka asnjë klub futbolli në mesin e dhjetë entiteteve më të pasura në botë, ne po bëjmë diçka shumë të gabuar në Evropën e vjetër”.

Një mesazh edhe për Al Khelaifi, kreun e ECA: “Formati i Superligës nuk mund ta mbyllë debatin. Drejtësia evropiane tashmë po vë në pikëpyetje monopolin e UEFA-s në futboll. Superliga nuk do të ishte një garë e mbyllur, pasi do të kishte 25% të vendeve të hapura.

Al Khelaifi tha se Real Madrid ka frikë nga ECA… Ne ende duhet t’i kujtojmë atij se kush është Real Madridi (duartrokitje). Konkurrenca është në ADN-në tonë, ky klub ka përgjegjësinë të mbrojë futbollin në tërësi dhe të mos pranojë kërcënimet nga kushdo që vijnë.

Superliga është ende në një proces gjyqësor dhe pritet të zgjidhet me një vendim që do të shënjojë futbollin europian. Kur të shpallet do të punojmë të gjithë së bashku për të ndryshuar situatën në futboll. Duhet të jetë rezultat i një debati pa presion, por klubet duhet të jenë të lira. Përkushtimi i Real Madrid ndaj futbollit është jashtë çdo dyshimi”.

Për Perez, modeli aktual ka dështuar: “UEFA po shton lojërat mes skuadrave të parëndësishme. Kjo vetëm do të përshpejtojë rënien e futbollit evropian. Sipas ‘Forbes’, Real Madrid është klubi i 13-të më i vlefshëm në botë… Më parë ne ishim të pestët. Janë vetëm tri klube futbolli në këtë renditje”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN