MENU
klinika

Propozimi nga Ministria e Financave

30.11.2018 - 13:10

Ligji i pensioneve do të ndryshohet sërish. Sipas Ministrisë së Financave, problematika është shfaqur në caktimin e pensioneve të fshatit e më konkretisht për të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët për zonat fushore aktualisht paguajnë 38.400 lekë në vit ndërsa për zonat malore 29.400 lekë. Kjo, sipas ministrisë, paraqet diferencë të ndjeshme me të vetëpunësuarit në qytet, të cilët paguajnë 66.240 lekë në vit.

Deri më tani diferenca është paguar nga buxheti i shtetit, por për të shmangur, atë që dikasteri i financave e quan diskriminimin midis të vetëpunësuarve, propozohet që të vetëpunësuarit në bujqësi kanë detyrimin të paguajnë kontributet e llogaritura mbi një pagë minimale për ta, që mbetet për t’u përcaktuar me vendim qeverie.

Kjo do të thotë se masa e kontributit të sigurimeve shoqërore që do të paguhet do të jetë sa 23% e kësaj page. Gjithashtu, në rast se të vetëpunësuarit në bujqësi do të duan të kontribuojnë më tepër, me qëllim për të përfituar një pension më të lartë, atëhere do të kenë mundësinë që mund të paguajnë edhe mbi nivelin e pagës minimale në shkallë vendi, që sot është 24 mijë lekë në muaj.

Ndërkaq, projektligji i propozuar i hap rrugën edhe shtyllës së tretë të pensioneve,  që është vendosja e një sistemi të detyrueshëm privat.

Megjithatë, sipas Ministrisë së Financave, kjo ka nevojë për studime më të plota, sidomos për kostot e biznesit, tregjet e investimeve, zhvillimin e tregjeve financiare apo mbikëqyrjen.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN