MENU
klinika

Kosovë

Përfundon greva, nis një muaj me vonesë mësimi

03.10.2022 - 12:08

Me një muaj vonesë, sot fillon mësimi në të gjitha nivelet e arsimit para-universitar në Kosovë, pas pezullimit të grevës pesë javore nga SBASHK-u.

MASHTI në njoftimin për fillimin e vitit të ri shkollor ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit në vend. Ministria u ka bërë thirrje drejtorive komunale të Arsimit që të sigurohen për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Ndërkohë që SBASHK-u ka paralajmëruar se nuk do të ketë zëvendësim të orëve të humbura, ministrja Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se ministria që ajo drejton do të formojë sot një grup punues për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen riplanifikimet në shkolla

“Janë shpërndarë të gjitha tekstet në komuna e shkolla sipas kërkesave të drejtorive komunale të arsimit, ndërsateksti i Gjuhës shqipe, klasa e pestë, tekst i ri i hartuar këtë vit, do të dërgohet brenda kësaj jave në shkolla”, thuhej në njoftim.

Kujtojmë se greva në arsim kishte nisur më 25 gusht, me kërkesat për 100 euro shtesë deri në hyrjen fuqi të ligjit të pagave, gjë e cila është hedhur poshtë nga Qeveria, e cila ka ofruar një zgjidhje prej 50 eurosh, me premtimin se një gjë e tillë do të shikohet të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm në varësi të shkallës së inflacionit.