Në listën e publikuar nga hakerat iranianë, të nxjerrë nga sistemi i Policisë së Shtetit bashkë me email-et e ish-kryepolicit Gledis Nano, ndodhen edhe emrat e 2 ministrave, Elisa Spiropali, Niko Peleshi, përfshirë edhe ish-ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.
Por në një reagim, Policia e Shtetit tha se asnjëri prej 2 ministrave dhe ish-ministres nuk janë të dyshuar.
“Kategorikisht nuk janë të përfshirë në veprimtari kriminale apo në hetime për ngjarje kriminale, as dy ministrat dhe as ish-ministrja, po ashtu edhe shumë emra të tjerë të publikuar nga hakerat, në këto lista.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, po heton origjinën e rrjedhjes së këtyre të dhënave”, u tha në reagimin për Report Tv.
Burimet zyrtare policore instistojnë që lista MEMEX që hakerat pretendojnë të kenë publikuar dhe zyrtarisht duhet të ketë emrat e të dyshuarve, nuk është origjinale, duke saktësuar se të dhënat e nxjerra nuk kanë lidhje me databazën e sistemit policor MEMEX.
Në fakt, në listën e publikuar nga hakerët iranianë, nuk kuptohet se ku e ka origjinën kjo database.
Ka dhe një element të dukshëm në krye të çdo faqeje me fotot e të pretenduarve qytetarë të dyshuar, ku shkruohet në anglisht: Albanian suspects (Shqiptarët e dyshuar).
Nëse database do të ishte e Policisë shqiptare dhe në të janë emra të shqiptarëve të dyshuar, përse dokumenti duhej të ishte në gjuhën angleze.