Shakhtar Donetsk është bërë flamuri i Ukrainës. Prania në Champions League, në mes të luftës me Rusinë, është një burim krenarie dhe merr një ngjyrim patriotik. “Unë jam krenar për këtë ekip. Për mua ata janë heronj,” – deklaron Darijo Srna.
Ish-mbrojtësi i djathtë kroat, tashmë Drejtor Futbolli te Shakhtarit, flet për dramën njerëzore dhe futbollistike që ka sjellë lufta e tretë e jetës së tij: “Në vitin 1991, në Kroaci, në 2014 në Donetsk dhe tani në mbarë Ukrainën”.
Fillimi i luftës e kapi Shakhtarin në befasi: “Fillimi ishte një fatkeqësi. Ne ishim në Kiev me ekipin dhe u kujdesëm të organizonim gjithçka, veçanërisht me lojtarët e huaj. Disa u larguan me makinë, të tjerët me tren…”,– kujton ai.
Një skenë që, në mënyrë të pashmangshme, të kujton atë që ndodhi tetë vjet më parë, kur u desh të largoheshin nga Donetsku për shkak të “Luftës së Dombásit”. Në fakt, stadiumi “Donbass Arena”, që i përket Kategorisë Elite të UEFA-s, u shkatërrua nga bombardimet.
“Në vitin 2014 na u desh të largoheshim nga Donetsku, shtëpia jonë, stadiumi, qyteti ynë sportiv dhe kemi tifozët tanë në të gjithë botën. U transferuam në Kiev dhe sapo u përshtatëm, filloi një luftë tjetër. Është e vështirë të shpjegosh jetën tonë që atëherë e deri më sot”, vijon më tej Srna.
Një mërgim i detyruar, që për fat të keq, po përjeton një episod të ri. “Ne jemi një skuadër pa adresë (pa seli fikse) dhe kjo është më e dhimbshmja. Kemi luajtur në Lviv, në Odessa, në Kharkov, tani Ligën e Kampionëve në Varshavë… Vajza ime më merr në telefon dhe se një ditë do të jem në Kiev, ditën tjetër në Londër… Ndonjëherë zgjohem dhe nuk e di se ku jam”, – shpjegon drejtori i futbollit i Shakhtar Donetskut.
Megjithatë, ajo që e lëndon më shumë Srnan është përkrahja inekzistente e qeverisë botërore të futbollit: “UEFA, përmes Ceferinit, bëri gjithçka që mundi për të na ndihmuar ne dhe futbollin ukrainas. FIFA, nga ana tjetër, na shkatërroi. Ajo nuk na mbrojti në asnjë moment.
Nëse Real Madrid, Sevilla, Barcelona apo Bayern do të ishin në situatën tonë, jam i sigurt se do t’i kishin ndihmuar shpejt. Edhe ne jemi një ekip dhe i kemi dhënë shumë futbollit evropian gjatë 20 viteve të fundit. Do të doja që dikush nga FIFA të vinte në Ukrainë, të jetonte me ne dhe ekipet e tjera dhe të ndiente se çfarë është si të jetosh me sirena dhe bomba.” (Supersport)