Nga Barbara Moens & Cornelius Hirsch “Politico.eu”
Politikanët evropianë të ekstremit të djathtë sapo arritën që të fitojnë në Itali, teksa më herët arritën rezultate historike në Francë dhe Suedi. “Kudo në Evropë, njerëzit aspirojnë që të marrin sërish në duart fatet e tyre!”- deklaroi Marine Le Pen, udhëheqësja e partisë Tubimi Kombëtar të ekstremit të djathtë në Francë.
Por nëse mendoni se aktualisht ka një valë të re të radikalizmit të krahut të djathtë që po përfshin Evropën, do të gaboni. Pasi në fakt po ndodh diçka tjetër. Një studim i POLITICO sugjeron se partitë e ekstremit të djathtë në rajon nuk e rritën mesatarisht mbështetjen e tyre as edhe me 1 për qind midis fillimit të pushtimit rus në Ukrainë në shkurt dhe deri më sot.
POLITICO analizoi rritjen mesatare të të gjitha partive të organizuara në grupimet e djathta të Parlamentit Evropian, Identiteti dhe Demokracia, Konservatorët dhe Reformistët Evropianë apo nga partitë që nuk kanë lidhje me pozicionet politike të së djathtës ekstreme.
Në përgjithësi, rezultatet tregojnë se nëse ka pasur një rritje të mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë, kjo ka ndodhur disa vite më parë. Rritja e parë e ndjeshme në elektorat për Demokratët Suedezë ndodhi vetëm pas zgjedhjeve të vitit 2014, kur partia u rrit nga rreth 10 në 20 për qind, i njëjti rezultat që morën në fakt edhe në zgjedhjet e këtij viti.
Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë në Gjermani u rrit me shpejtësi gjatë viteve 2015-2016 duke arritur në 14 për qind të mbështetjes. Në Itali, Lega Nord e kapërceu Forza Italia për herë të parë në fillim të vitit 2015, dhe arriti kulmin në vitin 2019 me 37 për qind të votave, përpara se të fillonte një prirje rënëse duke përfunduar me vetëm 9 për qind në zgjedhjet e 25 shtatorit.
Në zgjedhjet italiane, votuesit kaluan kryesisht midis kampeve rivale të krahut të djathtë. E djathta ekstreme ka kaluar nga skajet e politikës në qendër të skenës politike, duke ndikuar
jo vetëm tek partitë e qendrës, por duke ndërhyrë edhe në zonat e tyre të ndikimit.
“Ka një lloj normalizimi të partive të ekstremit të djathtë si një pjesë integrale e peizazhit politik. Ato janë pranuar nga elektorati por edhe nga partitë e tjera tradicionale”- thotë Cathrine Thorleifsson, e cila studion ekstremizmin në Universitetin e Oslos, Norvegji.
Bashkëpunimi midis qendrës së djathtë dhe ekstremit të djathtë është bërë më pak tabu.
“Rritja elektorale e partive të ekstremit të djathtë është vetëm një pjesë e historisë. Integrimi i tij i plotë në skenën politike, por edhe miratimi i parimeve dhe pozicioneve të ekstremit të djathtë nga partitë e tjera është po aq i rëndësishëm”- shkroi në Twitter Cas Mudde, një nga studiuesit kryesor mbi këtë çështje.
Kjo mund të rrezikojë edhe më shumë destabilizimin e Evropës sesa fitimi i disa përqindjeve më tepër në sondazhe. Rasti i drejtueses së ekstremit të djathtë në Itali, Giorgia Meloni është një shembull tipik. Ndërsa partia e saj e ka origjinën nga grupet e themeluara nga ish-fashistët, ajo do të udhëheqë tani ekonominë e tretë më të madhe të BE-së.
Në Suedi, partia e qendrës së djathtë ka nisur bisedimet për krijimin e një qeverie të pakicës, e cila do të duhej të marrë edhe mbështetjen e opozitës, me shumë gjasa të Demokratëve Suedezë të ekstremit të djathtë. Ndërkohë partitë e ekstremit të djathtë janë bërë pjesë e qeverive në Austri, Finlandë, Estoni dhe Itali.
Këtë shembull ka të ngjarë ta ndjekin edhe vende të tjera. George Simion, kreu i partisë së ekstremit të djathtë të Rumanisë, Aleanca për Bashkimin e Rumunëve (AUR), e festoi fitoren e Melonit në Itali, duke thënë se partia e tij ka të ngjarë të ndjekë këtë shembull.
Spanja shkon drejt zgjedhjeve vitin e ardhshëm, ndërsa kryeministri socialist Pedro Sánchez mund ta ketë të vështirë të fitojë rizgjedhjen në detyrë. Partia Popullore e së djathtës tradicionale është midis 5-7 për qind përpara socialistëve spanjollë në të gjitha sondazhet e publikuara, por nuk ka gjasa të mbledhë mjaftueshëm vota për të siguruar një shumicë qeverisëse.
Kjo do të thotë se asaj mund t`i duhet që të arrijë një marrëveshje me partinë e ekstremit të djathtë Vox, lideri i së cilës, Santiago Abascal, është një aleat i Melonit. Ndërsa Partia Popullore refuzoi bashkëqeverisjen me Vox-in pranverën e vitit të kaluar, udhëheqësi i saj i sapozgjedhur, Alberto Núnez-Feijóo, ka në firmosur një marrëveshje për një koalicion me grupin ultranacionalist në rajonin qendror të Spanjës Castilla y León.
Edhe politikani belg i ekstremit të djathtë, Tom Van Grieken, përmendi Spanjën si shembullin tjetër të mundshëm, sidomos për shkak të bashkëpunimit të mundshëm me Partinë Popullore.
“Në mbarë Evropën, ne po shohim që partitë konservatore po mendojnë ta çajnë kordonin sanitar”- tha ai, duke iu referuar refuzimit të partive të tjera për të bashkëpunuar me të djathtën ekstreme. “Ata janë të lodhur duke bërë kompromis me homologët e tyre ideologjikë, partitë në skajin e majtë të spektrit”- shton ai.
Por kjo zhvendosje nuk ndodhi brenda natës. E djathta ekstreme punoi shumë për të shmangur imazhin e saj ekstremist, neo-nazist. “E djathta ekstreme investoi në rregullimin e imazhit dhe në përpjekjen për të pasur kujdes me disa çështje” thotë Nina Wiesehomeier, politologe në Universitetin IE të Madridit.
“Kjo është veçanërisht e dukshme tani në Itali, me Melonin që bazohet tek slogani “Zot, atdhe, familje”, ndërsa është përpjekur ta spastrojë partinë nga elementët më radikalë”- thekson ajo.
Në rajonin verior të Belgjikës, Flandra, partia e ekstremit të djathtë Vlaams Belang (Interesi Flaman) e hedh poshtë në mënyrë eksplicite etiketën “ekstrem i djathtë”. Ashtu si homologët e tij në Itali, Suedi dhe Francë, Van Grieken, kreu i kësaj partie, ka denoncuar pozicionet më ekstremiste të etërve themelues të grupit të tij, dhe e moderoi mesazhin e tij politik për ta bërë të pranueshëm nga shoqëria votimin për të djathtën ekstreme.
Racizmi i hapur nuk është më një tabu. Përkundrazi, retorika ndryshon me kritikën e një politike migracioni të dyerve të hapura. Duke iu afruar me kujdes votuesve të qendrës, e djathta ekstreme synon një pjesë më të madhe të tortës, ndërkohë që vazhdon të shfrytëzojë pakënaqësinë e një pjesë të popullsisë ndaj establishmentit politik.
“Ka një vijë e qartë ndarëse midis fituesve të globalizimit dhe nacionalistëve. Kjo është në krye të shqetësimeve lidhur me emigrimin masiv, qoftë në Malmö, Romë apo qytete të tjera evropiane”- thotë Van Grieken për POLITICO.
Tani është koha e duhur për të përfituar nga ky transformim. Ndërsa Evropa po përballet me një inflacion në nivele rekord dhe evropianët janë të frikësuar nga faturat e larta për ngrohjen, qeveritë paralajmërojnë mbi pasojat politike të një “dimri pakënaqësie”.
“Është një dëmtim i fortë i prosperitetit evropian. Në situatën aktuale, është e vështirë të besosh tek progresi, është shumë e vështirë të bësh përparim. Pra, ka një ndjenjë shumë pesimiste”- deklaroi për POLITICO kohët e fundit kryeministri belg Alexander De Croo.
Lufta aktuale në Ukrainë është e fundit në një sërë krizash, nga ajo financiare globale, migracioni dhe pandemia. Ekspertët thonë se ky është çelësi për të kuptuar mbështetjen në rritje të popullatave për të djathtën ekstreme. “Kriza të tilla ekzistenciale kanë një efekt destabilizues dhe çojnë tek frika”- thotë Carl Devos, profesor i shkencave politike në Universitetin e Gentit, Belgjikë.
“Frika është terreni i duhur për të djathtën ekstreme. Njerëzit priren që ta përkthejnë atë frikë dhe zemërim në sjellje radikale gjatë procesit të votimit”- nënvizon ai. Emigrimi dhe politika e identitetit janë më pak të spikatura në media për shkak të luftës në Ukrainë dhe rritjes së çmimeve të energjisë, por ato janë ende çështje kyçe në debatin e krahut të djathtë.
Në Austri, partitë e koalicionit debatuan ashpër midis tyre nëse azilkërkuesit duhet të përfitojnë apo jo bonuse për të përballuar krizën energjitike. Në Holandë, vdekja e një foshnje në qendrën e azilizantëve Ter Apel, solli një debat të ri mbi qendrat e mbipopulluara të emigrantëve.
Kombinimi i këtyre çështjeve, ka të ngjarë të ushqejë më shumë fitore të krahut të djathtë në të gjithë kontinentin. “E djathta ekstreme ofron zgjidhje nacionaliste, proteksioniste për krizat e globalizuara. Ne po shohim se si çështja e emigracionit ishte për një moment jashtë agjendës gjatë pandemisë së Covid-19. Por tani është kthyer në qendër të vëmendjes”- thotë Thorleifsson.
Burimi: Politico.eu