MENU
klinika

"Shqipëria burim kanabisi"

Ministria e Brendshme përgënjeshtron CIA-n

20.08.2018 - 19:06

Pas lajmit se sipas një raporti të ri të CIA-s vendi ynë është burim kryesor kanabisi ka reaguar Ministria e Brendshme.

Ministria e Brendshme thotë se raporti i CIA-s mbi situatën e sigurisë në Shqipëri, është i pasaktë dhe keq-orientues për publikun.

Njoftimi

Sqarojmë se nuk ka ndonjë raport specifik të kësaj organizate të publikuar në ditët e fundit në lidhje me situatën në Shqipëri.

“The World Factbook”, është i publikuar në faqen zyrtare të CIA-s. Ky është një produkt i kësaj organizate që përditësohet në mënyrë të përjavshme dhe përmbajtja është lehtësisht e aksesueshme online. Pra, megjithëse përditësimi i fundit është i datës 14 gusht 2018, theksojmë se ky është një përditësim i “Factbook” si i tërë dhe jo i të dhënave specifike për Shqipërinë.

Aktualisht për Shqipërinë, “Factbook” ka të njëjtën përmbajtje me atë të vitit 2017 dhe ky tekst, me ndryshime të vogla, është pothuajse i njëjtë me atë të publikuar gjatë periudhës 2007-2016. Bashkëlidhur me këtë njoftim përcjellim edhe fotot “print-screen” të faqeve përkatëse të “Factbook” sipas viteve.

 

Spekulimet politike për të prodhuar me çdo kusht lajme negative njollosin dhe cënojnë drejtpërdrejt punën dhe sakrificat e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Ministria e Brendshme ka qenë dhe mbetet e hapur dhe transparente me median duke informuar me korrektesë për ngjarje që kanë të bëjnë me luftën kundër paligjshmërisë e kriminalitetit.

Por lidhur me këtë lajm më herët ka reaguar edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Në profilin e tij ne facebook, Basha bashkëngjitur një video ku akuzon kryeministrin Rama se me luftën antikanabis mashtroi shqiptarët dhe BE,  shkruan se vendi nuk e meriton një kryeministër të lidhur me krimin e organizuar.

Edi Rama mashtroi shqiptarët, BE dhe SHBA me shpalljen e fitores së luftës kundër kanabisit dhe heqjen e Shqipërisë nga harta e kultivimit të kanabisit. Nga Janari deri në Korrik 2018 në Itali, Greqi dhe Shqipëri janë sekuestruar 30 tonë kg kanabis shqiptar. Deri tani nuk është arrestuar asnjë bos i drogës në Shqipëri, sepse garant për parekshmërinë e tyre është qeveria e Edi Ramës.

Lulzim Basha
Lulzim Basha

Ministria e Brendshme nuk bën analizat e drogës së kapur për të fshehur të vërtetën se Shqipëria vazhdon të jetë parajsa e krimit për mbjelljen e kanabisit. Analizat italiane dhe greke të drogës së kapur nga Shqipëria provojnë se kanabisi është mbjellë gjatë muajve të fundit. 30 tonë drogë e sekuestruar në 7 muaj janë vetëm maja e ajsbergut të krimit të organizuar me mbrojtje politike, që ka marrë peng vendin. Shqiptarët nuk meritojnë një kryeministër të korruptuar, që ka lidhur fatin e tij politik me krimin e organizuar”-thuhet në videon e publikuar nga Basha.