MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 7

Tregolëshi i Xhixhës vlen vetëm 1 pikë për Tiranën

07.10.2022 - 17:02

Redon Xhixha në një version fantastik nuk mjafton për t’i dhuruar Tiranës fitoren e tretë radhazi. Ylli i ri i futbollit shqiptar realizoi një tripletë fantastike përballë Laçit, por Mentor Mazrekaj iu përgjigj me një “dopjetë”, duke bërë që dy ekipet të ndalin nga një pikë pas barazimit 3-3.

Makthi i Tiranës, Mentor Mazrekaj, me një veprim personal shumë të bukur, arrin të depërtojë në zemrën e mbrojtjes bardheblu dhe me një prekje të lehtë dërgoi topin në rrjetë dhe Laçin në avantazh në minutën e 21-të.

Festa zgjati vetëm dy minuta, pasi njeriu i momentit, Redon Xhixha me një vertikalizim perfekt dhe me një parabël të ëmbël riktheu baraspeshën në stadiumin “Selman Stermasi”. Xhixha ishte thjesht i pa përmbajtshëm teksa në minutën e 36-të, shkëputet shpejt dhe me një goditje nga distanca dërgoi sërish topin në rrjetë, duke përmbysur rezultatin dhe duke i dhuruar Tiranës avantazhit.

Të dy ekipet zhvilluan një futboll të hapur, me shumë raste për shënim, nuk e ulën ritmin as me fillimin e pjesës së dytë. Në minutën e 63-të, kurbinasit barazuan rezultatin në 2-2 nga pika e bardhë e penalltisë.

Nuk ishte e thënë që kjo sfidë të përfundonte me katër gola, për sa kohë Xhixha ishte në fushë. Në minutën e 73-të, bomberi bardheblu mori një top të pastër të zonë dhe me një goditje të fortë realizoi golin e tretë personal dhe të tretin për Tiranës.

Kjo ishte “tripleta” e tij e dytë këtë sezon, goli i 10-të sezonal. Emocionet nuk kishin fund në këtë përballje të çmendur, Mazrekaj prishi sfidën perfekte të Xhixhës duke realizuar një gol në limite, i dyti personal dhe i trete për Laçin duke i dhuruar kurbinasve një pikë shprese pas barazimit 3-3.

Në ndeshjen tjetër, nuk ka fitues mes Erzenit dhe Egnatias në javën e shtatë të Abissnet Superiore. Ndeshja e luajtur në “Niko Dovana” të Durrësit përfundoi në barazim pa gola, me dy skuadrat që frenojnë njëra-tjetrën dhe marrin vetëm një pikë.

Në fillim ishin shijakasit që ia afruan portës kundërshtare, por ndonjë rrezik konkret. Rastin më të mirë në pjesën e parë e patë rrogozhinasit, që madje pretenduan për një penallti, por që nuk ishte i këtij mendimi gjyqtari.

Edhe në pjesën e dytë pak a shumë i njëjti skenar, skuadrat krijojnë volum të madh loje në mesfushë deri në hyrje të zonave respektive, por mungon pasimi i fundit dhe për pasojë finalizimi. Në fund ritmi bie ndjeshëm, me skuadrat që më shumë përpiqen të mbrojnë pikën se sa të fitojnë. Mbyllet pa gola, me skuadrat që ndajnë nga një pikë.