MENU
klinika

Udhëzimi i dytë

“Leksionet me detyrim”, pas zemëratës së studentëve tërhiqet Ministria e Arsimit!

10.10.2022 - 09:54

Një arsye më shumë për të protestuar. Kështu e cilësuan studentët udhëzimin e Ministrisë së Arsimit mbi frekuentimin në auditorë, që datonte në fund të vitit akademik, por që u njohën me të vetëm tani.

E, për të mos i hedhur më benzinë zjarrit, MAS ka zgjedhur të bëjë një hap pas duke u tërhequr nga udhëzimi në fjalë (nr. 13, datë 20.06.2022) për të ribërë një të ri, i cili e kthen frekuentimin në shkolla siç ka qenë më herë, fakultativ për leksione dhe të detyrueshëm në pjesën dërrmuese të seminareve.

Ndonëse nuk janë kryer studime për këtë, kujtojmë që një pjesë e familjeve shqiptare nuk përballojnë dot kostot e jetesës së fëmijëve në universitete. Për këtë arsye, këta të fundit detyrohen të punojnë për të siguruar të ardhurat e duhura për shkollimin, librat apo jetën e shtrenjtë në kryeqytet. Në këto kushte, rikthimi i leksioneve me detyrim pamundëson e shpesh vështirëson kryerjen e të dy veprimtarive, punë-shkollë.

Gjatë gjithë fundjavës, rrjetet sociale kanë gëluar nga të rinjtë e zemëruar pas vendimit të ministrisë. Por nuk vonoi shumë përgjigjja, që përkthehet në një arsye më pak për t’u ngritur në protestën e thirrur nga pedagogët në datën 17 tetor. Nga ana e tyre, studentët kanë kërkuar një ndihmë prej 100 eurosh për të përballuar jetesën, por që nuk ka marrë ende përgjigje në rrugë institucionale.

UDHËZIMI I RI

Pak gjë ka ndryshuar nga ajo që ka qenë më parë. Në rreshtat e veprimtarive që kryhen në universitet është hequr fjala leksion duke lënë vetëm seminare, laboratorë dhe praktika profesionale apo klinika për t’u zëvendësuar me një fjali, e cila u lë dorë të lirë të rinjve. “Frekuentimi i procesit mësimor përcaktohet në rregulloren e programit të studimit. Frekuentimi i leksioneve është si rregull fakultativ, por institucionet e arsimit të lartë mund të përcaktojnë, në aktet e tyre të brendshme rregullatore, frekuentimin për lëndë/grup lëndësh të veçanta”, citohet në pikën 3 të futur rishtazi në udhëzimin e firmosur në datë 7 dhe që u bë publik një ditë më vonë.

Jo vetëm leksionet, por edhe seminaret në ciklin e parë të studimeve nuk përmenden si kusht pjesëmarrjeje për t’u futur në provime. Të vetmit, frekuentimin e të cilëve e përcakton Ministria e Arsimit janë masterat, e të gjitha llojeve, profesional, master shkencash apo arteve, të cilat kërkojnë një total orësh prej 75% në raport me totalin. Në udhëzim mbetet edhe cikli i tretë i studimeve që përkon përkatësisht, 50% pjesëmarrje në seminare, 75% në orët e laboratorit dhe 75% në aktivitete profesionale, klinike apo kërkimore-shkencore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Si do bëhet frekuentimi i mësimit për çdo lloj cikli studimi

Leksionet në universitete bëhen me detyrim