Në garën kaotike të Japonisë në Formula 1, zhvilluar ditën e diel në pistën e Suzuka, aksidenti i spanjollit të Ferrari, Carlos Sainz, ishte vërtet i frikshëm. Si për dinamikën ashtu dhe për mënyrën se si makina qëndroi në mes të pistës, duke u rrezikuar të goditej nga njëvendëshet e tjera që kalonin pranë me shpejtësi.
Në pistë hyri makina e sigurisë dhe u valëvit flamuri i kuq, që ndali garën. Gjithsesi, ato pak sekonda në mes të pistës së lagur në makinën e tij, teksa shihte makinat e tjera t’i kalonin me shpejtësi para syve, vetëm pak centimetra larg, ishin tragjike për Sainz.
“Në kushte të tilla këto aksidente ndodhin. E vërteta është që nuk shihja asgjë që kur nisi gara. U mundova të mos qëndroja pas makinës që kisha përpara, pasi kishte shumë ujë që vinte nga ajo. Por kjo lëvizje doli për më keq, pasi në pistë gjeta një vend me më shumë ujë dhe makina më rrëshqiti”, tha Sainz.
Terrifying crash for Carlos Sainz 🤯
So glad he is okay 👊
— Ferrari News 🐎 (@FanaticsFerrari) October 9, 2022
“Problemi më i madh erdhi më pas. Përfundova në mesin e pistës dhe kisha frikë mos më godisnin makinat e tjera dhe atëherë do të ishte një tragjedi. Askush nuk më shihte që kisha ndluar aty. Praktikisht, aty isha në duart e Zotit, pasi nuk e di nëse të tjerët të shohin apo jo. Për fat askush nuk u përplas me mua, por i shihja që kalonin me shpejtësi para meje. vetëm pak centimetra larg Ferrari tim”, tha Sainz.