MENU
klinika

Nga Denis Dyrnjaja

Meta, mjeshtër i përmbysjes së disavantazheve politike

11.10.2022 - 10:44

Kryetari i Partisë së Lirisë ka krijuar një strategji agresive për t’i dhënë forcës së tij politike, jo vetëm një imazh të ri, por edhe një rol të fortë në kombinacionin politik brenda opozitës. Ndërsa PD po përballet me pasojat e çarjes së saj për shkak të përballjes së Berishës dhe kundërshtarëve të tij në PD, Ilir Meta me intuitën dhe eksperiencën e tij politike ka ndërmarrë një revolucion organizativ për forcimin dhe faktorizimin e mëtejshëm të partisë që themeloi rreth 18 vite më parë.

Fillimisht ai ndryshoi emrin e saj nga LSI, në Partia e Lirisë një truk interesant, por edhe gjetje politike për të zhbërë çdo perceptim të së shkuarës që lidhej me Levjzjen Socialiste për Integrim, e cila pësoi një tkurrje të vazhdueshme nën drejtimin e znj Kryemadhi. Politoligjia ka kriteret e saj sesi mund ta kthesh një forcë politike nga toksike në atraktive. Meta këtë pjesë e njeh mirë dhe me pragmatizmin që e karakterizon në raport me bashkëpunëtorët dhe njerëzit që duhen, në fushën e shahut politik di të bëjë lëvizjet e duhura. Koha e ka provuar këtë më shumë se një herë dhe lëvizjet kanë qenë të gjitha me efekt pozitiv për interesat politike të partisë. I vetmi akt politik madhor ku partia e tij gaboi ishte djegia e mandateve, një akt i cili ndodhi kur Meta nuk ishte kryetar partie, por president i shtetit dhe pasojat ishin fatale si për atë që dikur quhej LSI ashtu dhe për opozitën në tërësi.

Me kthimin aktiv të tij direkt në krye të partisë tani e njohur ndryshe edhe si Poli i Lirisë, Meta ndërmori një aksion në shkallë të gjerë riorganizimi duke u investuar në mënyrë të menjëhershme në rikonceptimin e marrëdhënieve me ndërkombëtarët. Ka një përmbysje të qartë të kursit politik të ambasadores amerikane e cila ka filluar të mbajë kontakte të rregullta me ish Presidentin e Republikës me të cilin shpesh u ndodhën në kurs përplasjeje e qëndrimesh në të shkuarën e afërt. Amerikanët kërkojnë partnerë në politikë dhe për ta nuk ka politikë inerte. Madje edhe ato që janë marrëdhenie inerte ata i shndërrojnë në marrëdhënie elastike, pasi çdo kush është një aset i nevojshëm në kohë dhe rrethana të ndryshme.

Meta është një faktor që nuk mund të anashkalohet dhe këtë mesa duket amerikanët e kanë kuptuar ndaj ndryshuan kurs, duke krijuar një qasje tjetër në marrëdhëniet direkte me të, ndryshe nga raportet e serta që vijojnë të mbajnë me Sali Berishën. Mesa duket dhe vetë Meta e kishte kuptuar që kursi i përplasjes me amerikanët, nuk prodhon asgjë e nuk te çon aksund, ose të çon në një rrugë ku ke murin të cilit duhet t’i biesh me kokë dhe në të tilla raste nuk çahet muri por koka edhe nëse ke kokën e një malësori nga Skrapari sikurse Meta e vë në dukje shpesh për të theksuar forcën jo vetëm karakteriale por edhe fizike personale madje. Ndaj përtej muskujve politikë ai këtë herë zgjodhi në mënyrë të zgjuar të luaj sportin diplomatik.

Për këtë i duhej një diplomat karriere dhe mesa duket edhe identikitin e tij e kishte gati në kokë. Ish ambasadorin e Shqipërisë në OKB Agim Nesho. Meta e ka hedhur në veprim atë për të rivendosur, rifreskuar dhe kuruar lidhjet e humbura e hapur komukime të reja politiko/diplomatike. Ardhja e Neshos në krah të Ilir Metës dhe si numëri dy i partisë, natyrshëm që ka rrudhur shumë buzë e ngrysur shumë vetulla në Partinë e Lirisë, por kjo pak i intereson Metës përballë produktit politik. Dhe ky produkt në aspektin diplomatik duket se i ka dhënë të drejtë atij në lëvizjen e bërë. Edhe krijimi i një bërthame të re drejtuese kërkon të lëshojë sinjale në publik se tani në këtë parti ka njerëz të pakonsumuar me pushtetin dhe të papërfolur për abuzime.

Duke ristrukturuar dhe riformatuar të gjithë filozofinë e partisë dhe grupin menaxherial të saj Meta, ka ndërmarrë hapat e duhur, të kryer në një kohë rekord, prej korrikut kur rimori drejtimin e saj. Ndërkohë që në kampin tjetër të opozitës ka një rrëmujë totale të lidershipit, kur jemi vetëm pak muaj para zgjedhjeve. Ndryshe nga Meta, Berisha i rikthyer nuk po arrin dot të vendosë nën kontroll asetet politike të PD dhe po vijon të konsumohet në sfidën e brendshme për vulën e partisë e cila me ose pa dashjen e tij e nxjerr të pafuqishëm në raport me Berishën e së shkuarës, i cili kishte pushtet dhe vendimmarrje absolute. Se kush vendos rregullin në shtëpinë e tij. Ilir Meta erdhi, pa dhe bëri atë që i duhet.

Të gjitha sulmet e maxhorancës, por edhe ato me karakter ligjor vetëm sa e kanë përforcuar pozitën dhe imazhin e tij si një politikan i fortë dhe i pathyeshëm. Këtë e gjen më së shumti në leksikun e tij sfidues politik, veçanërisht për ata dhe ndaj atyre që ai i njeh më mirë, socialistëve të rilindur. Tani mund të thuhet pa frikë se Ilir Meta është rikthyer në arenë. Kjo sigurisht ka prishur rehatinë në shtëpitë e tjera politike!