Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, ka përfunduar në mesin e një “fortune” mediatike në Spanjë duke qenë se së fundmi “El Confidencial” ka bërë publike disa mesazhe në rrjetin social WhatsApp.
Rubiales në këto mesazhe “vjell vrer” kundër klubeve të Valencias, Sevillas dhe Villareal, ndërsa në një moment të caktuar thekson se kërkon t’i rrëzojë ata të Sevillas pasi nuk i preferon aspak.
Më poshtë, Rubiales shton se Villareal në fakt është klubi që urren më së shumti, ndërsa në këtë renditje, Valencia mban vendin e tretë. Pas këtyre mesazheve, tre klubet e përmendura kanë dalë në një komunikatë të përbashkët kundër gjuhës së përdorur nga ana e presidentit.
“Në përgjigje të informacionit të publikuar nga El Confidencial lidhur me akuzat e Rubiales, Valencia, Sevilla dhe Villareal lëshojnë një komunikatë të përbashkët ku dënojnë mungesën e respektit nga ana e presidentit.
Bisedat e tij të cilat përmbajnë fyerje, gjuhë urrejtje dhe arrogancë, janë të papranueshme nga një person me një status kaq të lartë i cili duhet të punojë në të mirë të futbollit spanjoll dhe t’i respektojë njësoj të gjitha klubet.
Valencia, Sevilla dhe Villareal dënojnë mungesën e respektit nga Rubiales, sidomos në drejtim të fansave. Klubet i kërkojnë Rubiales të sqarojë situatën dhe të kërkojë falje ndaj klubeve dhe fansave të tyre”, mbyllet komunikata e përbashkët e Valencias, Sevillas dhe Villareal.