William Butler Yeats ishte poet irlandez dhe një nga figurat më domethënëse në letërsinë e shekullit të 20-të. Poet dhe dramaturg, krijimtaria e tij u ndikua thellë nga kultura dhe politika irlandeze./Konica.al
Yeats lindi më 13 qershor 1865, kurse në vitin 1923 fitoi çmimin “Nobel” për letërsi “për poetikën e tij gjithmonë të frymëzuar, e cila, me një formë të lartë artistike, i dha shprehje shpirtit të një kombi të tërë”. Ai i përkiste pakicës protestante, anglo-irlandeze, që kishte kontrolluar jetën ekonomike, politike, sociale dhe kulturore të Irlandës, të paktën nga fundi i shekullit të 17-të. Yeats ruajti rrënjët kulturore, duke shfaqur legjenda dhe heronj irlandezë në shumë nga poezitë dhe dramat e tij.
Për Yeats, i cili frekuentonte mediumet, nuk kishte shpëtim jashtë mitologjisë, edhe nëse dikush duhej të krijonte të tijën. “Jam i bindur se në dy ose tre gjenerata, përgjithësisht do të njihet se teoria mekanike nuk ka realitet, se e natyrshmja dhe e mbinatyrshmja lidhen me njëra-tjetrën, se për t’i shpëtuar një fanatizmi të rrezikshëm, ne duhet të studiojmë një shkencë të re; në atë çast, evropianët mund të gjejnë diçka tërheqëse në Krisht të vendosur karshi një sfondi jo të judaizmit, por të druidizmit, jo të mbyllur në historinë e vdekur, por të gjallë, konkrete, fenomenale”./Konica.al
Poezitë e William Butler Yeats janë poezi vjeshte, të cilat i përshtaten në mënyrë të përkryer melankolisë së hollë që përshkon këtë stinë. Ai arrin ta shndërrojë pleqërinë në një poezi prekëse dashurie. Sepse bukuria e trupit zbehet, por e shpirtit jo. Dhe, nëse do shpirtin e një personi, atëherë është përgjithmonë. “Kur të jesh plakur” është cilësuar si një nga poezitë më të bukura të dashurisë të të gjitha kohërave. Duket se janë preludi i diçkaje, ashtu si era e vjeshtës sjell me vete një ogur dimri që fryn nëpër gjethet tashmë të brishta të pemëve.
Është veçanërisht një poezi që duket se mishëron thelbin më të pastër të melankolisë: flet për pleqërinë, për jetën që zbehet dalëngadalë, por edhe për një dashuri të pavdekshme. Ai vazhdon përmes imazheve flakëruese: një zjarr në oxhak dhe një grua që kotet në kolltuk me një libër në dorë; tashmë e plakur, duart e gruas janë të brazduara me rrudha, sytë i kanë humbur shkëlqimin e dikurshëm; më pas poezia ngrihet në një nivel shpirtëror, metafizik derisa mbyllet përballë pafundësisë së papërcaktueshme të një qielli plot yje, “një tufë yjesh” që vezullon përjetësisht si një pasion që digjet gjithmonë në zemër dhe nuk konsumohet. Lirika u botua në koleksionin me poezi “Trëndafili” (1893). Në tekst, autori i drejtohet drejtpërdrejtë gruas që dashuron dhe e fton të shfaqë mendimin e saj, derisa ajo të mos jetë më e bukur dhe magjepsëse, vetëm në atë moment do të kuptojë se kush e ka dashur me të vërtetë, pa u mbështetur në vlerën e përkohshme dhe jetëshkurtër të bukurisë. “Kur të jesh plakur” konsiderohet ende një nga poezitë më të bukura të dashurisë, sepse ndërthur tema të rëndësishme si pasioni dashuror, refuzimi, rinia, me ndjenjën e pashprehur të kohës që kalon.
Kur të jesh plakur
Kur të jesh plakur, thinjur dhe thëthirë nga gjumi,
Duke u kotulluar pranë zjarrit këtë libër ngadalë lexo,
Për vështrimin e ëmbël që patën sytë e tu ëndërro
Dhe për hijet e tyre të thella që më s’do t’i kesh.
Sa shumë të tjerët t’i deshën çastet e hijeshisë
Dhe e dashuruan bukurinë tënde, rrejshëm a vërtet,
Por veç një burrë pas shpirtit tënd pelegrin u tret
Dhe dashuroi fytyrën që e ndryshuan brengat.
Duke shprushur gacat e mërzitur do të ndihesh
Duke mërmëritur do thuash si iku kjo dashuri
E fluturoi mbi kreshta, atje në lartësi
Duke e strukur fytyrën e saj mes yjesh.
“Romantik në epokën kur romantizmi ishte në ekstravagancat e fundit”, – kështu e përkufizoi veten autori. Romantizmi i tij konsistonte në ringjalljen e legjendave të vjetra gale. Yeats donte që poezia të përfshinte gjithë kompleksitetin e jetës, por vetëm për aq sa imagjinata e poetit individual kishte akses të drejtpërdrejtë në përvojën ose mendimin dhe vetëm për aq sa ato materiale transformoheshin nga energjia e shqiptimit artistik. Ai ishte, nga i pari tek i fundit, një poet që u përpoq të transformonte shqetësimet lokale të jetës vetjake, duke i mishëruar ato në gjuhën tingëlluese universale të poezive të tij. Arritjet e shkëlqyera retorike, të përforcuara nga forca e konsiderueshme e ritmit dhe frazës poetike, kanë fituar vlerësime të gjera nga lexuesit dhe, veçanërisht, nga kolegët poetë, duke përfshirë WH Auden (i cili e vlerësoi Yeats si shpëtimtarin e poezisë lirike angleze), Stephen Spender, Theodore Roethke dhe Philip Larkin. Nuk ka gjasa që koha t’i zvogëlojë arritjet e tij./Konica.al