Lindën në një ditë. Dritëro Agolli, nuk u lodh kurrë me jetën bajate… baltën, bujkun, fshatin e erën shpupuritëse. Sikur as Migjeni, i të njëjtit fat, nuk u vidhej ditëve që i ngjanin ekzakt njëra-tjetrës, me të njëjtën vulë: mjerimin.
Ndërsa për vjershëtorin e ri e babaxhan, Devolli ishte vetë burimi. Gurra e pashtershme e jetës së thjeshtë; jo kravatave dhe takave të këpucëve, por zhurmës së traktorit dhe zërave në arë. Agolli ishte dhe do të mbetet, protagonist parësor i zhvillimeve më të përparuara të fjalës shqipe, gjuhës shqipe, letërsisë dhe kulturës shqiptare, mendimit kombëtar.
U lind në Menkulas të Devollit, më 13 tetor të vitit 1936. Mësimet e para i mori në vendlindje. Pas mbarimit të studimeve të mesme në gjimnazin Asim Zeneli, kreu Universitetin “Sant-Petersburg”, ku u diplomua për gazetari, duke mbrojtur diplomën me një tezë shkencore për Migjenin dhe vendin e tij në letërsinë shqipe. Pas kthimit në atdhe, filloi punën si gazetar në të përditshmen “Zëri i popullit”, duke u njohur si një prej reporterëve më të shquar të saj. Nga viti 1974 deri në vitin 1992, ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. I zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për pesë legjislatura radhazi, Poeti shenjohet si një rast i rrallë në historinë politike të përfaqësimit politik, në gjysmën e dytë të shekullit XX e në vijim.
Dritëro Agolli është figurë qendrore e poezisë shqipe, prej mesit të shekullit të kaluar. Një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të brezit të viteve 1960; kritik ndaj frymës tradicionaliste të poezisë së re të pasluftës, ai hyri në letërsi me kërkesën për ndryshimin e së ardhmes së saj. Agolli dhe breznia e tij letrare, zgjidhën krizën më të madhe të poezisë shqipe, qysh prej Rilindjes. Me veprën e tij poetike, ai çmontoi klishetë e vjetra të vjershërimit shqip.
Uni poetik i Agollit, do të shfaqej kur shoqëria shqiptare jetonte në një mendësi kolektiviste. Dhe u duk qysh në vëllimin e parë të tij “Në rrugë dolla”, duke marrë trajtë më qartësisht, në poemat “Devoll-Devoll” dhe “Poemë për babanë dhe për veten” – ku gjeti veten bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe intelektuali. Vjershëtori i frymën popullore, mbi të cilën mbrujti vargjet kushtuar jetës së vërtetë: thjeshtësisë.
Rritja poetike do të vinte me librat: “Hapat e mija në asfalt”, “Shtigje malesh dhe trotuare”, “Devoll-Devoll”, “Mesditë”, “Baballarët”, “Nënë Shqipëri”, “Fjala gdhend gurin”, “Udhëtoj i menduar”, “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Këngët e buzëqeshjes”, “Fletorka e mesnatës”, “Kambana e largët”, “Gdhihet e ngryset”, “Prit edhe pak”.
Agolli, solli në poezi shqetësimin e njeriut, qytetarit. Poezia e tij përshkohet nga kulti i vendlindjes, i tokës, i bukës, i parmendës, i familjes, i prindit e babait. Aty merr jetë bota e gjallë, shpirtëzohet mjedisi, shenjtërohet natyra, ara dhe bagëtia – si gjurmë të botëkuptimit panteist naimian.
Dritëroi është poeti që ka shkruar më shumë poezi për gruan, në gjithë historinë e letërsisë shqipe.
Dritëro Agolli i thuri vargje atdheut. “Nënë Shqipëri” erdhi në poezinë shqipe, me tendencat e një poezie bashkohore me themelet në atë tradicionale.
Poezia më e vonë e Dritëroit, do të qe një ringjallje poetike. Me vëllimet “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Fletorka e mesnatës”, “Këmbana e largët”, “Gdhihet e ngryset”, “Prit edhe pak”, pa dyshim, autori dalloi për mjeshtërinë krijuese. Brenga e tij janë dashuria dhe humbja, fisnikëria e shpirtit e papërlyer.
Kontributi më i rëndësishëm letrar në prozë, i Dritëro Agollit, konsiderohet “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” – në thelb, me nota antiskematizmi. Ndërsa nisi ta shkruajë “Arka e djallit”, në fillim të viteve 1980, për ta përfunduar në fillim të viteve 1990… kishte hyrë ndërkaq një frymë e re lirie, që vepra e përballoi denjësisht. “Njeriu me top” do të zbulonte një tjetër marrëdhënie e njeriut me armën, në ndryshim nga ajo e “Gjeneralit…” të Kadaresë. Njeriu që zotëron e robërohet prej armës, – një roman që sfidon brezat, kur lufta antifashiste dhe ideologjia komuniste ishin përballë njëra-tjetrës.
Si laureat i disa çmimeve letrare kombëtare, Dritëro Agolli mban titullin “Nderi i Kombit”. Një pjesë e madhe e veprave të tij, janë botuar në shumë gjuhë të huaja, si: frëngjisht, italisht, gjermanisht, anglisht, greqisht, bullgarisht, rusisht, turqisht e shumë të tjera. Dritëroi zë vend qendror në historinë e letërsisë shqipe. Vepra e tij, lehtësisht dallohet për ekuilibret e brendshme të saj.