Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se në dialogun me grupimin tjetër të PD-së do të dialogohet pa asnjë kusht për të dalë me kandidat të përbashkët.
Ndërkohë, gjatë një interviste për “Opinion”, ai u shpreh se nuk tërhiqet nga primaret.
“Propozimi është shumë i mirëpritur. I hapur totalisht. Cilido prej tyre është i ftuar të kandidojë për cilëndo bashki. Cilido deputet është i mirëpritur të sugjerojë cilindo kandidat. Paloka është i autorizuar për të diskutuar. Ky qëndrim është i hapur e serioz e pa asnjë lloj paragjykimi. Mirëpres çdo kontribut të cilitdo demokrat. Z. Paloka është në kontakt me z. Bardhi.
Paloka ka rastisur në një udhëtim në Uganda. Jam i bindur se ekziston çdo bazë për një bashkim të vërtetë në një betejë të rëndësishme për PD-në dhe për demokracinë. Nga grupi ynë ka zero kushte. Por, me sa kam dëgjuar, edhe deputetët e tjerë nuk kanë kushte. Bashkimi kështu ndodh.
Të dyja palët do gjejnë rrugën më të mirë për zgjedhjet. Jemi në një proces bisedimi. Në këtë proces nuk vendosim kushte. Ata janë anëtarë të PD-së. Kanë të gjitha të drejtat si anëtarë të PD-së. Unë nuk paragjykoj asgjë. Hapat që ata kanë bërë janë plotësisht të pranueshme. Hapat që na takojnë neve, jemi të hapur pa kushte. Po filluan kushte, s’ka marrëveshje. Unë jam i hapur ndaj tyre”, tha Berisha. Ndërsa la derën hapur për të gjithë, për Bashën vendosi një kusht. “Basha është anëtar, por rregulli me të është që… Ai është i akuzuar për një aferë që dihet. Ai ka deklaruar se kurrë nuk është e vërtetë. Kjo s’i merret parasysh nëse nuk fakton se paratë i ka marrë nga X person që s’ka lidhje me paratë ruse. Kemi të bëjmë me një moment tmerrësisht problematik.
Nëse PD do kishte një nga përkufizimet e saj, është një parti që ka punuar kundër interesave strategjike ruse. Është jashtë çdo imagjinate që të pranohen fnancime ruse. Në mënyrë absolute kam menduar se kurrë s’kanë qenë para ruse. Por dalja e raportit. Sepse kur doli lajmi i parë, i thash ambasadorit se nuk janë kurrë. Por kur artikulli i “Mother Johns” tani u raportua nga VOA, një zëdhënës i qeverisë amerikane tha se në Shqipëri është PD. Ndërkohë, një ditë më pas Basha e mohoi dhe u tha deputetëve se ambasadorja do ta mohojë. Por, në fakt, nuk e mohoi. Tani kemi disa të dhëna. Kemi Biniatën. Kemi 620 mijë dollarë. Ambasadori Lu më dërgoi vetëm fishën e Departamentit të Nik Muzin se ishte lobist. Më tej ambasadori kapi Belind Këlliçin dhe i thotë për këtë. Ia thotë dhe Joridës. Ndërkohë, dosja s’kishte gjë tjetër”, vijoi Berisha.
KOALICIONI
Ndërkaq, me Metën, Berisha tha se do të dalë në koalicion në zgjedhjet lokale ku do të diskutohet se ku do të ketë kandidat, ndërsa për këshillat bashkiakë do kandidohet me logon e vet.
“Do përpiqemi që në bashkitë e mëdha kandidatët të dalin brenda tetorit. Mund të shtyhet një javë. Kandidatët do të nxirren cili të dojë. Nuk ka palë këtu. Kushdo deputet që do të bëhet kryetar bashkie apo cili do që do të propozojë. Edhe ata që janë jashtë strukturës. Ne u kemi dhënë të drejtën e votimit simpatizantëve. Ata që duan të jenë, janë të ftuar të regjistrohen në seksion. Ç’është e vërteta, unë jam që të votoj e gjithë popullata, por kjo s’praktikohet. Ndërkohë, cilido që të jetë çmimi, primaret i japin një dimension që nuk e kanë pasur. Unë me primaret dua kultin e votës dhe përfaqësimin. Këta njerëz janë përgjegjës, para atyre që i votojnë dhe jo para Berishës. Ata duhet t’ua dinë atyre që i votojnë dhe jo kryetarit. z. Meta është plotësisht dakord me primaret. Nëse do ketë kandidat të PL, do caktohet bashkia ku do jetë. Që PD të heqë dorë nga primaret, heq dorë nga veta e saj. Meta ishte shumë pragmatist. Me tezën që sa herë kemi kërkuar bashki të mëdha, jemi tradhtuar nga bashkitë e mëdha. Ne do të kemi një marrëveshje koalicioni. Me këshillat bashkiakë do dalë me logo më vete. Ndërsa me partitë e tjera të opozitës po diskutojmë mënyrën e propozimit”, vijoi Meta.
Bashkia e Tiranës do të jetë qendra e betejës për pushtetin lokal, ku Berisha, ndonëse nuk kurseu mbështetjen për një nga emrat e përfolur, tha se më herët është fituar me kandidat politik.
“Kandidati do jetë ai që do fitojë nga primaret. Ilir Alimehmeti. Ai është djalë me reputacion të plotë. Ka vlerësimin tim maksimal, por ende s’e di nëse do jetë ai. Tiranën e kemi fituar 4 herë me profil politik. Tirana është fituar 4 herë me profil politik. Kjo do të thotë se fiton profili politik. Por tani ne jemi më të qetë, se ai që do marrë më shumë vota në primare, ai do shkojë? Partia që merr më shumë vota, është parti fituese. Vota në total është vota e partisë”, tha Berisha.
BOJKOTI NË KIE
Berisha kritikoi qëndrimin e Kryeministrit në Këshillin e Evropës. Sipas tij, kreu i qeverisë bëri shfaqje dhe u soll si gadafi.
“Dje ka qenë dita e turpit për Shqipërinë. Sepse me fjalën e tij, Rama shkaktoi bojkotin e darkës së tij. Ata që bojkotuan, janë përfaqësues të vendeve mike. Ata bojkotuan Kryeministrin e një vendi të NATO-s, e bojkotuan sikur të ishte Lukashenko apo Gadafi. Ligjet në fjalime i thyejnë vetëm diktatorët. Asnjë nuk e tejkalon kohën e diskutimit më shumë se 5 minuta. Njeriu i vetëm që tejkalonte kohën ishte Lukashenko, Fidel Kastro. Edi Rama shkoi në Strasburg për të shpëlarë akuzat ndaj vendit të tij. Kjo bëhet me rezolutë, Rama duhet të bënte fillimisht lobim te vendet mike. Ndërsa rezoluta nisej pas lobimit ose ndërmerrej nga njerëzit tanë aty me 20 firma. Por Rama s’e ka bërë këtë. Ai ka bërë një shfaqje të turpshme. Rama shkoi si Enver Hoxha në Bukuresht. Rama pati një gjuhë që s’e flet kurrë një lider i një vendi të lirë”, vijoi Berisha, ndërsa paralajmëroi uragan protestash kundër Kryeministrit.
“Shqipëria shumë shpejt do të njohë protesta që s’i ka njohur kurrë. Protestat kanë filluar. Sindikata e pedagogëve, dhe ka një solidarizim të studentëve me pedagogët. Ka një periudhë që do të ketë zhvillime. Jemi në mesin e vjeshtës. Protestat kanë filluar. Do ketë edhe primare, edhe protesta, edhe fitore. Opozita do bëjë gjithçka që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme. Rama është armik i votës së lirë. Ne do të kemi një furtunë protestash para vitit të ri. Këto synojnë të krijojnë ndryshimin që kërkojnë shqiptarët”, u shpreh ai.