MENU
klinika

Analiza

Paratë e pista janë “thembra e Akilit” për demokracinë në BE

15.10.2022 - 09:51

Nga Tom Keatinge, Politico

Për dekada me radhë, demokracitë perëndimore kanë qenë të hapura ndaj financave dhe investimeve, duke synuar të përfitojnë nga të mirat që sjellin ato. Sot nuk ka kontrolle kapitali, procedura që dikur ngrinin kufijtë financiarë mes aleatëve, pasi financat sjellin investime, rritje ekonomike dhe mundësi punësimi.

Por ekziston edhe një dimension tjetër i këtyre flukseve financiare, që mirëpriten me dëshirë nga vendet perëndimore.

Një dimension që u shpërfill thuajse tërësisht, derisa bota demokratike u detyrua që t’i kushtonte vëmendje për shkak të luftës që nisi Rusia ndaj Ukrainës: financimet e paligjshme ose paratë e pista.

Bashkimi Europian ka filluar të përballet tashmë me një pjesë të këtyre financave të paligjshme që janë përhapur në të gjithë kontinentin, duke miratuar direktiva të njëpasnjëshme kundër pastrimit të parave, plane veprimi, si dhe duke debatuar mbi selinë e ardhshme të Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave të BE-së, raporton abcnews.al.

Pas më shumë se një dekade përqendrimi tek forcimi i sistemeve dhe i përgjigjeve ndaj parave të pista, demokracitë perëndimore duhet të angazhohen për të mbrojtur veten nga ndikimi i flukseve financiare dashakeqe, korrupsioni strategjik, si dhe përdorimi si armë i financave nga vendet kundërshtare.

Për shembull, flasim për të dhënat e fundit nga Departamenti i Shteteve të Bashkuara, që pretendon se Rusia ka shpenzuar fshehurazi mbi 300 milionë dollarë në këto fusha që nga viti 2014 dhe deri më sot. Moska është përpjekur të ndikojë tek politikanët në të paktën 24 vende në 4 kontinente, dhe ka vënë në shënjestër qendrën e BE-së duke e përdorur Brukselin “si një qendër për fondacionet dhe kompanitë e tjera që mbështesin kandidatët e ekstremit të djathtë”.

Kjo gjë ka ndodhur duke përfituar nga rekordi i dobët i Europës në zbatimin e standardeve në luftën kundër krimit financiar. Në fjalimin e saj mbi gjendjen e Unionit, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen e nënvizoi këtë cënueshmëri serioze ndaj një ndikimi të tillë financiar.

Ajo u bëri thirrje vendeve anëtare të “mos harrojnë se si autokratët e huaj po shënjestrojnë BE-në”. Ajo vuri veçanërisht në dukje financimin për institutet kërkimore dhe akademike, me qëllim të minimit të vlerave europiane, si dhe infiltrimin e agjentëve të huaj që përpiqen të abuzojnë me sistemet politike të bllokut apo kompanitë dhe fondacionet e dyshimta që abuzojnë me fondet publike.

Atëherë, çfarë duhet bërë në këto situata?

Para së gjithash, duhet të përshpejtohet dhe të ketë prioritet procesi shumëvjeçar për reformimin dhe sigurimin e mbrojtjes së vendeve të Bashkimit Europian nga financat kriminale.

Përgjigja ndaj skandaleve, siç është rasti i pastrimit të parave që përfshiu bankën daneze Danske Bank  ishte e dobët. Për më tepër, vonesat e vazhdueshme për forcimin dhe koordinimin e mbikëqyrjes dhe përdorimin e regjistrave transparentë nga kompanitë, paraqesin mundësi që mund të shfrytëzohen nga kriminelët dhe shtetet armiqësore, raporton abcnews.al.

Më pas, BE-ja duhet të sigurohet që kërcënimi që buron nga financat por edhe ndikimi ekonomik me synime keqdashëse, të adresohet krahas mjeteve të tjera të luftës “hibride”, sikurse është keqinformimi.

Financat janë një fije e përbashkët që përshkon shumë nga kërcënimet e “zonës gri” me të cilat përballet BE. Në dokumentin e saj “Konceptet Strategjike 2022”, NATO vuri në dukje përdorimin e detyrimit ekonomik nga autoritarë që sfidojnë interesat e aleancës.

Për më tepër, BE-ja dhe vendet e saj anëtare duhet të jenë të vetëdijshëm se sistemet e tyre ekzistuese të luftës kundër financimit të paligjshëm nuk ka gjasa të jenë efektive në identifikimin e tyre.

Sistemet aktuale synojnë që të identifikojnë të ardhurat e krimit, dhe jo paratë e destinuara për të minuar demokracinë. Ndaj ato duhet të ndryshojnë. Por jetik është edhe zbatimi efektiv i sanksioneve që BE ka vendosur kundër Rusisë.

Që nga pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës në fund të muajit shkurt, ndaj Rusisë janë vendosur një mori sanksionesh, duke përfshirë oligarkët dhe të tjerët që mendohet se mbështesin apo përfitojnë nga Moska.

Ndërsa ka shumë pak gjasa që këta individë të ndryshojnë llogaritë e presidentit Vladimir Putin në raport me luftën, sanksionet po i dëmtojnë ata dhe bashkëpunëtorët e tyre  që kanë lidhje me Kremlinin dhe që në shumë raste i kanë të depozituara paratë e tyre në bankat e vendeve të BE-së, raporton abcnews.al.

Sanksionimi i këtyre individëve duhet të ndihmojë në identifikimin dhe ngrirjen e pasurive të tyre, duke penguar mundësinë e përdorimit të tyre për veprimtari keqdashëse dhe anti-demokratike.

Prandaj është thelbësor sigurimi i personelit të nevojshëm dhe i kompetencave ligjore për zbatimin e sanksioneve, dhe që sektori privat të jetë plotësisht i vetëdijshëm për të gjitha detyrimet e tij ligjore.

Dështimi për ta bërë këtë do të minojë jo vetëm objektivat e sanksioneve, por po ashtu do të krijojë mundësinë që këto para të përdoren për të mbështetur aktivitetin anti-perëndimor.

Së fundmi, Bashkimit Europian dhe komuniteti i demokracive perëndimore, duhet që t’i kushtojnë shumë më tepër vëmendje burimit të donacioneve për partitë politike.

Shumë shpesh, politikanët janë të gatshëm të marrin donacione nga burime të dyshimta, edhe pse formalisht “të ligjshme”. Megjithatë, si politikanët në veçanti, po ashtu edhe partitë politike duhet të marrin parasysh jo vetëm burimin e një donacioni, por edhe qëllimin pse jepet ai.

Dhe ata që marrin para nga subjektet të cilat synojnë të minojnë demokracinë duhet ta humbasin të drejtën e tyre për të marrë pushtetin. Shoqëritë e Perëndimit janë hasur me pengesa të mëdha nga autokratët për dekada me radhë.

Por vitet e fundit, vetëkënaqësia dhe naiviteti, i ka dhënë mundësi kundërshtarëve që të depërtojnë përmes një game të gjerë pozicionesh ndikimi.

Një përgjigje ndaj këtyre masave aktive financiare është shumë e vonuar, ndërsa udhëheqësit duhet të njohin si dimensionin kriminal po ashtu edhe atë të sigurisë të financimit të paligjshëm.