Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, iu ka dhënë lamtumirën dhe i ka falënderuar për shërbimin në Kosovë trupat e Ukrainës që ishin në vend në kuadër të KFOR-it.
Ai tha se i uroi ata për detyrën e mbrojtjes së vendit të tyre që do ta kenë tash e tutje.
“Këtë javë, takova oficerin e lartë ukrainas të KFOR-it. I nderuar t’ia jap lamtumirën dhe të falënderoj trupat e Ukrainës për përkushtimin e tyre afatgjatë ndaj misionit të NATO-s në Kosovë. I uroj atyre më të mirën derisa shkojnë në shtëpi për të mbrojtur vendin e tyre nga lufta brutale e Kremlinit”, ka shkruar ambasadori amerikan në Twitter.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, muaj më parë pati nënshkruar një dekret përmes së cilit kthente në shtëpi të gjithë trupat ukrainase që shërbenin në misione të vendeve të huaja.
Ukraina kishte rreth 40 paqeruajtës në Kosovë. Në njoftimin për tërheqjen e trupave, KFOR kishte falënderuar ukrainasit.
“Ukraina ka qenë një kontribuues i vlefshëm në misionin tonë paqeruajtës që nga themelimi i KFOR-t në vitin 1999. Ne mirëpresim kontributet e kahershme të vendit në përpjekjet tona të përditshme në mbështetje të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe në konsolidimin e stabilitetit në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, kishte thënë KFOR.