MENU
klinika

Ushtaraku brutal që mbrojti Gorbaçovin, bëri burg dhe u ngjit në karrierë

Kush është gjenerali rus i ngarkuar të fitojë luftën në Ukrainë?

15.10.2022 - 21:17

Pak pas mesnatës së 21 gushtit të vitit 1991, një kolonë autoblindash që transportonte ushtarë nga divizioni i 2-të i gardës ruse, një njësi e njohur si “Garda Taman”, u ndal në një tunel në qendër të Moskës, ku u përball me protestues të zemëruar pas një tentative për grusht-shtet ndaj liderit sovjetik, Mikhail Gorbachev.

Protestuesit kishin ngritur barrikada, duke vendosur në rrugë autobusë e mjete pastrimi të rrugëve, dhe në kaosin që u krijua tre prej tyre mbetën të vrarë. Eventualisht, kolona u tërhoq.

Përplasja ishte një pikë kthese në grushtin e shtetit, i cili dështoi përfundimisht ditën e nesërme. Njeriu që komandonte njësinë, batalionin e parë të motorizuar, ishte kapiteni Sergei Surovikin, 24 vjeç, një oficer i rangut të mesëm, i cili u arrestua për një kohë të shkurtër, por më vonë u lirua, shkruan REL.

Surovikin vazhdoi një karrierë të gjatë në ushtrinë ruse, ku ai u promovua vazhdimisht dhe fitoi një reputacion për brutalitetin e paprecedentë të përdorur në Çeçeni dhe, së fundmi, në Siri. Më 8 tetor, presidenti rus, Vladimir Putin, e emëroi të dekoruarin Surovikin, i cili tani është 56 vjeç, si komandant të përgjithshëm të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës.

Dy ditë më vonë, Rusia lëshoi numrin më të madh të raketave dhe sulmeve ajrore që nga nisja e pushtimit në shkurt, duke e shtyrë luftën në një fazë tjetër, potencialisht edhe më vdekjeprurëse – me Surovikin në krye.

“Për Ukrainën, unë do të shqetësohesha shumë për qëndrimin absolutisht të egër që Surovikin ka ndaj armikut – duke i konsideruar të njëjtë si luftëtarët ashtu edhe civilët – dhe fokusin i tij në arritjen e përparimeve ushtarake pa marrë parasysh koston apo rrezikun”, tha Charles Lister, i cili është drejtor i programit të Sirisë në Institutin e Lindjes së Mesme me bazë në SHBA dhe ka ndjekur ecurinë e komandës së mëparshme të Surovikin të forcave ruse në Siri.

“Në fund, janë civilët ata që ka të ngjarë të vuajnë më shumë, veçanërisht pasi Ukraina duket e gatshme të vazhdojë luftën e saj efektive dhe heroike për të mbrojtur territorin e saj”, tha Lister.

“Nuk besoj se ai mund të ndryshojë dinamikën e luftës, pasi Ukraina po angazhon trupa gjithnjë e më të stërvitura dhe armë të avancuara”, shkroi Mark Galeotti, një ekspert mbi forcat e sigurisë ruse, në një artikull për “The Spectator”. “Megjithatë, ai me sa duket do të provojë të ndryshojë këtë rrjedhë dhe kjo nënkupton se do të dëgjohen më shumë sirena të sulmeve ajrore në qytete në të gjithë Ukrainën”.

Karriera e Surovikin nis në disa nga shkollat kryesore ushtarake të Bashkimit Sovjetik. Fillimisht ai u diplomua në një akademi trajnimi oficerësh në Omsk në vitin 1987. Sipas një profili të vitit 2005, të publikuar në gazetën e Ministrisë së Mbrojtjes, “Krasnaya Zvezda”, ai shërbeu për një kohë në Afganistan me forcat speciale sovjetike.

Gjatë kaosit në puçin e vitit 1991 në Moskë, karriera ushtarake e Surovikin mori hov: ai ishte tashmë kapiten dhe komandant batalioni me “Gardën Taman”, një post prestigjioz për një oficer të ri.

Disa raportime të asaj kohe pohojnë se Surovikin qëlloi vetë mbi një nga protestuesit, një pretendim që nuk u vërtetua kurrë. Por, ai u arrestua dhe u dërgua në burgun famëkeq të “Matrosskaya Tishina” të Moskës për disa muaj përpara se të lirohej në dhjetor, me urdhër të presidentit të atëhershëm rus, Boris Yeltsin.

Atij iu akordua gjithashtu grada major dhe u regjistrua në akademinë ushtarake “Frunze” të Moskës, një nga akademitë më prestigjioze të Ministrisë së Mbrojtjes të vendit. Ndërsa ishte atje, Surovikin u përfshi në një hetim penal që përfshinte trafikun e armëve dhe shitjen e paligjshme të tyre.

Si përfundim, Surovikin u akuzua për tri vepra penale nga një gjykatë ushtarake e Moskës, por ai u dënua vetëm me një vit burgim me kusht, një vendim që provokoi ankesat e disa ushtarakëve, veçanërisht pasi ngritja në detyrë e Surovikin vazhdoi e pakontrolluar.

Lajmet për çështjen gjyqësore, dënimin e lehtë dhe pakënaqësinë e brendshme u publikuan në gazetat ruse në vitin 2012, si dhe përpjekjet e tij për ta hequr rastin nga regjistri i tij ushtarak.

Në një koment për gazetën “Komsomolskaya Pravda” në vitin 2012, Surovikin tha se çështja ishte mbyllur në vitin 1995, duke pretenduar se ai ishte liruar nga çdo akuzë.