Ashtu sic u përfol gjatë gjithë pasdites pas humbjes në shtëpi me Teutën, Edlir Tetova nuk është më trajneri i Egnatias. Mësohet se tekniku durrsak dhe klubi rrogozhinas kanë ndarë rrugët me mirëkuptim duke i dhënë fund aventurës së nisur këtë verë.
Humbja përballë Teutës me përmbysje në ndeshjen e javës së 8 të Superiores i ka kushtuar shtrenjtë trajnerit, edhe pse skuadra ishte vetëm e dyta në këtë sezon.
Drejtuesit rrogozhinas kanë diskutuar me Tetovën pas ndeshjes dhe palët kanë rënë dakord për ndarjen përfundimtare me mirëkuptim, duke mbyllur kontratën që ishte nënshkruar në verë.
Tani kanë nisur bisedimet për emërimin e trajnerit të ri, me Shpëtim Duron që ka kandidaturën më të fortë për të marrë drejtimin e skuadrës. Ndërkohë, një emër tjetër që ka qarkulluar në ambientet e klubit këto orë është edhe ai i Diego Longos, italianit i cili në sezonin e kaluar ka drejtuar Kukësin.