Arjola Demiri ka pasur një vit që gati i ka ndryshuar jetën. Pas pjesëmarrjes së saj në “Big Brother”, ajo më në fund realizoi ëndrrën që të ketë një shtëpi të sajën.
Në netët para finales, asaj iu dhurua një apartament, por që ende nuk ka mundur ta marrë. Duket se tashmë për të ka nisur edhe karriera si moderatore, duke qenë se projekti i saj në Kosovë tashmë është gati.
Është një emision televiziv që do të transmetohet të dielave, mjaft familjar, dhe prezantimi i është besuar pikërisht aktores. Por duket se jeta e vështirë e saj do të bëhet edhe film.
“Në fakt, ka më shumë se tre vite që Kastriot Abdyli, një regjisor i Kosovës, më kërkon që të bëj script-in e historikut të jetës. Në fakt, e kam parë disa herë veten në sekuenca filmike të jetës dhe kur e mendoj ndoshta do ta luaj në këtë pjesën e moshës që jam sepse kuptohet kam qenë më e re kur jam bërë nënë. Ndoshta do të jetë dikush tjetër në vendin tim kur kam qenë më e re. Nëse ky film do të bëhet, që unë kam shumë dëshirë të bëhet, kam përshtypjen që do të ishte mjaft i suksesshëm edhe jashtë”, u shpreh Arjola, duke zbuluar kështu një plan të afërt të sajin.
E për jetën e vështirë të sajën, Arjola ka folur jo pak.
“Kur nisa karrierën time në Kosovë, duke qenë se pashë se kisha rënduar për disa vite familjen time, vendos që fëmijët t’i lë tek i ati. I lashë për një periudhë rreth 18 muaj, derisa ata kërkojnë që unë të kthehem se donin praninë time afër tyre. Kur kthehem, pranë meje vijnë vetëm Alesia dhe Rubini. Helga refuzonte të vinte. Duke qenë se isha në një proces gjyqësor, çka kjo duhet të bëhet shembull për të gjitha nënat që divorcohen dhe gjenden në pikën zero, ndonjëherë ndarja e fëmijëve është e padrejtë. Ka qenë një vit i gjatë, i dhimbshëm, sepse nuk gjeja dot forcë që të shkoja dhe të përballesha me fëmijën tim.
E kam kërkuar dy herë te shkolla dhe më refuzoi, kishte ardhur momenti që Gjykata do vendoste që Alesia dhe Rubini do qëndronin me mua, ndërsa Helga do rrinte me të atin dhe familjen e tij. Arriti një moment kur nuk po duroja dot më. Për muaj e muaj kisha dëshiruar ta shihja në ëndërr dhe nuk më dilte dhe pikërisht atëherë kur unë po përjetoja suksesin tim më të madh në karrierë, Helga mungonte. Duke ndierë një dhimbje të madhe, për mungesën e Helgës në jetën time, duke menduar që ndoshta ajo kishte të drejtë për këtë periudhë që unë e kisha lënë vetëm që të ngrihesha dhe fuqizohesha për hirin e tyre, kisha një muaj të vështirë se më dilte natë për natë në ëndërr dhe po mendoja që diçka ka.
Kam bërë një veprim që ndoshta të gjitha nënat mund ta bëjnë. Kam shkuar dhe kam ‘rrëmbyer’ fëmijën tim… e kam pritur, jam zgjuar një mëngjes pa frymë. Mendoja se ajo ishte në një sallë reanimacioni dhe ajo nuk po merrte dhe as po jepte dhe ishte kjo ëndrra që ndoshta më shkundi dhe më dha forcën e duhur për të shkuar e për ta pritur që të kthehej nga shkolla. Është vendimi më i mirë që kam bërë për ta marrë atë pranë vetes”, është shprehur aktorja.
Arjola ka pranuar publikisht se ish-bashkëshorti e dhunonte fizikisht dhe se e ka tradhtuar për 6 vite me radhë në dijeni të saj. Ato vite nuk kanë qenë aspak të lehta për aktoren, nënën e tre fëmijëve, e cila në luftë me depresionin ka tentuar edhe vetëvrasjen, prej së cilës e ka shpëtuar nëna e saj.
Ish-bashkëshorti i Arjola Demiri it është Ajax Boshnjaku. Emri i Ajax Boshnjakut është bërë i njohur në tetor 2018, ku ishte i përfshirë në masakrën e ish-Bllokut ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha. Ajaxi, miku i Ervin Matës, u akuzua për moskallëzim krim.
Boshnjaku është sot babai i dy djemve binjakë me një grua tjetër, me të cilën Arjola Demiri ka edhe çështje penale. Arjola ka treguar se ka marrë më në fund kujdestarinë e 3 fëmijëve që ka pasur nga bashkëjetesa me Ajaxin, pasi ajo nuk ka pasur një celebrim me ligj me të.
Duket se nëse filmi do të realizohet, suksesi i filmit do të ishte i garantuar, duke pasur parasysh detajet rrëqethëse të kësaj historie. Arjola Demiri ka qenë e ftuar së fundmi në “Pardon my French”, ku ka folur për jetën e saj pas përfundimit të “Big Brother Vip” dhe ka zbuluar nëse gjatë kësaj periudhe ka pasur diçka të re kur vjen puna te jeta sentimentale.
E pyetur gjithashtu se si e shikon ajo partnerin e saj ideal, aktorja u shpreh: “Ndoshta nuk jam unë ajo që dua. Kjo është e vërteta sepse femrat e vështira dhe të forta është e vështirë t’i përballosh. Unë i përkas edhe shenjës së Virgjëreshës kështu që…. Pas një analize të gjatë se kush do të ishte partneri perfekt, vjen në përfundimin që duhet të jetë një burrë i fortë dhe dominant. Dashuria dhe sistemi i lidhjeve janë bërë fast food dhe nuk jam e interesuar për këto gjëra. Unë jam e interesuar për një mashkull të fortë që lufton përkrah meje. Rrugëtimi bëhet bashkë. Më rastis që në shoqëri të më thonë se meshkujt më kanë frikë që të afrohen dhe të më flasin, po mirë bëjnë të rrinë larg”.
Një pjesë që e ‘përndjek’ Ariolën që pas daljes nga “BBVIP” është se çfarë u bë me shtëpinë që i dhuroi produksioni.
“E para nuk kam dashur të flas sepse ka pasur shumë zëra. Nuk flitej për asgjë tjetër përveç shtëpisë, filloi të më torturonte kjo gjë. Edhe pa e marrë kontratën, kam thënë që e kam marrë sepse nuk ka pasur vend për të dyshuar. Përtej nesh ka pasur me mijëra mesazhe në lidhje me shtëpinë. Tani shtëpia është në ndërtim, e kam thënë, edhe kontratën e kam firmosur tashmë. Pres vetëm t’i vendoset një derë dhe të marr çelësat”, tregoi ajo.
Ndërkohë, mjaft i diskutuar ka qenë raporti i saj mes ish-konkurrentit të “Për’puthen”, Atdhe Xharavina. Teksa njëherë ironizojnë njëri-tjetrin në rrjetet sociale dhe njëherë thonë fjalët më të mira, kurrë nuk është e qartë nëse janë miq apo “armiq”. Lëvizja e fundit e Atdhe Xharavinës në “Instagram”-in e tij duket se ka vendosur pikat mbi “i”.
Së fundmi ish-konkurrenti ka ndarë një foto të aktores me një urim të veçantë. “Gëzuar ditëlindjen diva”, shkruan Atdheu në “Instastory”. As Arjola nuk ka qëndruar indiferente ndaj këtij reagimi. Aktorja e ka ripostuar “story”-n në “Instagram”-in e saj.
Më herët, Atdheu ka folur në një intervistë për “Mirage”, ku zbulon se si i kishte raportet me Arjolën. Gjatë periudhës së BBVIP, ishkonkurrenti hyri në shtëpinë e famshme për të sqaruar keqkuptimin që pati mes Arjolës dhe Antonela Berishës. Sipas tij, ai u ndje i obliguar të rregullonte situatën për hir të shoqërisë që ka me aktoren.
Ai tregoi se marrëdhënia mes tyre kishte ndryshuar pak, por kanë një miqësi shumë të sinqertë, pa interes dhe mund t’i mbesë hatri për diçka shumë të vogël, por prapë gjëra që rregullohen. Atdheu u shpreh se Arjolën do ta mbështesë sa të ketë jetë, pasi ajo i është gjendur pranë kur ka ardhur në fillim në Tiranë.