Dhjetë tradhtarët më të urryer dhe më të famshëm të të gjitha kohërave, nga ata të historisë së lashtë e deri te spiunët e Luftës së Ftohtë. Anëtarë me tituj të lartë për komplote kundër atdheut, për refuzimin e komunitetit apo kthim shpine familjes, tradhtarët kanë mbushur gjithmonë faqet e librave të historisë. Më poshtë po citojmë dhjetë prej më të urryerve të të gjitha kohërave, emri i të cilëve është bërë sinonim i tradhtisë./Konica.al
Efialte i Trakës (shek. V. p.e.s.). Për Efilate dimë shumë pak, por besohet se ishte një bari me origjinë nga Traka e Greqisë. Faji i tij? Ndihmoi persianët të merrnin krahët e Termopilit në 480 para erës sonë, duke çuar në masakër 300 luftëtarët e famshëm spartanë të Leonidhës I gjatë betejës. Herodoti tregon se Efialte, pas tradhtisë, ia mbathi, duke u vrarë më vonë nga një bashkëqytetar i tiji.
Ugolino della Gherardeska (rreth 1220-1289). Fisnik pizan gibelin, konti Ugolino kaloi në fraksionin kundërshtar të Guelfëve, më vonë u akuzua për favorizimin e qyteteve rivale të Pizës. Si rrjedhojë, u burgos dhe u dënua me vdekje. Në “Komedinë Hyjnore”, Dante Aligeri e ka vendosur në rrethin djallëzor të Antenorës (rezervuar për tradhtarët e atdheut), duke sugjeruar se gjatë burgimit arriti të hante edhe fëmijët e vet.
Malinça (La Malinche) (shek. 16-të). Vajza e një shefi vendas të Meksikës së sotme, Malinçe, pas vdekjes së të atit u shit si skllave, më vonë punoi përkthyese në shërbim të spanjollëve, si dhe dashnorja e udhëheqësit të tyre Hernan Kortes, i cili zbarkoi në Meksikë në 1519. Malinça ndihmoi pushtuesit të nënshtronin qytetërimin aztek, aq sa në Amerikën Latine fjala malinçista do të thotë “i shitur” tek të huajt.
Bruti dhe Kasio (shek. I p.e.s.) Edhe pse Jul Cezari i fali që të dy gjatë luftërave civile, Marko Xhiunio Brutus dhe Gajus Kasio Longinus ishin nxitësit kryesorë të komplotit që çoi në vrasjen e tij në vitin 44 para erës sonë. Më vonë, të mposhtur nga Oktaviani dhe Mark Antoni në betejën e Filipit, që të dy “cezarvrasësit” kryen vetëvrasje në 42 para Krishtit. Judë Iskarioti (shek. I pas erës sonë). Mbase vendas nga Kerioti (qytet i Judesë), pasi u bashkua me dishepujt e zgjedhur nga Jezusi, ai e “shiti” mësuesin në Sinedrin për 30 dinarë argjendi, duke e sinjalizuar identitetin e tij te rojet me puthjen e famshme. I penduar, pak më vonë, ai u var në një pemë (të llojit Cerci siliquastrum, Pema e Judës, edhe sot vijon të ketë këtë emër)./Konica.al
Mir Jafar (1691-1765). Mir Jafar Ali Khan Bahadur, pasi arriti në oborrin e Bengalit (sot Bangladesh), kaloi në anën e anglezëve, kurse gjatë betejës së Plaseit, në 1757, ata i dhanë titullin “nabob” (qeveritar krahine), duke lehtësuar pushtimin e tyre të Indisë. Pas ulje- ngritjeve, ai vdiq nga pleqëria, i urryer nga bashkatdhetarët.
Benedikt Arnold (1741-1801). Gjenerali karizmatik gjatë Luftës Amerikane për Pavarësi (1775-1783), qe një nga përgjegjësit kryesorë për fitoren e kolonëve kundër britanikëve në Saratoga (në 1777), por në vitet në vijim ai veshi “xhaketën e kuqe”, duke i kthyer shpinën kauzës së pavarësisë. I mbrojtur, por i përbuzur nga zotërinjtë e rinj, arriti të shpëtojë duke ia mbathur në Angli.
Sharl Moris dë Talejrand (1754-1838). Aristokrat francez, i cili mori poste drejtuese politike gjatë Revolucionit dhe regjimit napoleonik, duke e tradhtuar vazhdimisht edhe vetë Napolonin. Mbeti në drejtim edhe pas rënies së këtij të fundit, madje u bë protagonist i kongresit të mëpasshëm të Vjenës (1815), duke përfaqësuar monarkinë burbone.
Vidkun Kuisling (1887-1945). Pasi u bë emblema e bashkëpunëtorit nazist, Vidkun Kuisling, ish-udhëheqës i një formacioni të ekstremit të djathtë norvegjez, në vitin 1940 mbështeti pushtimin gjerman të atdheut dhe u bë kreu i regjimit kukull të vendosur nga Hitleri në Norvegji. I ndjekur penalisht për tradhti të lartë, ai u dënua me vdekje në vitin 1945.
Pesëshja e Kembrixhit (shekulli XX). Akademikë të shkëlqyer të universitetit anglez të Kembrixhit, por tradhtarë të atdheut, duke filluar nga vitet 1930 dhe për pjesën më të madhe të Luftës së Ftohtë, Anthony Blunt, Donald Maclean, Kim Philby, Guy Burgess dhe John Cairncross, qenë spiunë dhe u dhanë informacione top sekrete sovjetikëve, për çudi të gjithë arritën të dilnin të larë. “Goditjet” e tyre qenë ndër operacionet më të suksesshme të spiunazhit rus./Konica.al