MENU
klinika

6 veta për 1 vrasje

Si u qëllua 8 herë pas shpine për hakmarrje, Erion Xhenjo!

16.10.2022 - 20:04

Prokuroria dhe policia kanë zgjeruar rrethin e të hetuarve për vrasjen e 19-vjeçarit Erjon Xhenjo në Shkodër. Mësohet se në atentat kanë marrë pjesë gjashtë persona, ndërsa një prej agresorëve ka qëlluar 8 herë mbi të riun. Një nga pistat e hetimit për ngjarjen është hakmarrja

Vrasja e 19-vjeçarit Erjon Xhenjo në Shkodër, dyshohet se është kryer nga një grup prej 6 personazh dhe jo dy vetë, siç përshkruhet në pamjet filmike të sekuestruara nga hetuesit.

Në dokumentacionin e siguruar nga “Ora News”, rezulton se dy agresorë janë afruar në lokalin ku i riu po ndiqte ndeshjen e futbollit, Vllaznia-Kastrioti ndërsa të tjerët kanë pasur role të ndryshme

Në këtë vrasje sipas grupit hetimor kanë marrë pjesë, I. Huti, A.Bajraktari, I. Balla, D. Balla dhe Xh. Cafi. Asnjëri prej këtyre personave nuk është gjendur në banesën e tyre, kur policia ka ushtruar kontroll. Në rrugë operative, policia tregon se vrasja e adoleshentit me 8 plumba pistolete “TT”, është kryer për motive hakmarrje.

Në materialin hetimor evidentohet fakti se personi, që ka qëlluar është Bajram Çekorja, djali i Ismet Çekorjes, i vrarë mesditën e 2 shtatorit 2022 në lagjen e tij “Kiras”. Viktima Erjon Xhenje, është djali i xhaxhait të Shkëlzen Xhenjes, i cili është shpallur në kërkim së bashku me Astmer Bilalin për vrasjen e Ismet Çekorjas.

Djali i këtij të fundit, Bajrami, mbrëmjen e 25 Gushtit në Shkodër është shpallur në kërkim pasi së bashku me Tornado Fushën, kanë tentuar të vrasin Alban Bruçin. Policia thotë se nga arratia Bajrami, ka organizuar sulmin me armë duke vrarë 19-vjeçarin, Erjon Xhenjo.

I riu është qëlluar nga një distancë 1 metër largësi, ku vetëm një person ka shkrepur armën plot 8 herë. Autori ka zbrazur të gjithë plumbat, pasi arma e gjetur jo shumë larg vendit të krimit, u gjend pa fishekë dhe me shulin e nxjerrë.

Dy personat që janë afruar me motor pranë lokalit, dallohen qartazi në pamjet filmike, por vetëm njëri prej tyre qëndroi mbi motor ndërsa tjetri hyri në lokal dhe qëlloi mes shumë personave 19-vjeçarin Erjon Xhenje.

Njëri nga dëshmitarët J.S, që kanë qenë shumë afër me viktimën, i ka treguar policisë se:

”…më kujtohet se ka ardhur një motor në të cilin ishin dy persona të maskuar edhe me skafandra. Pasagjeri, që ka qenë mbrapa ishte me një armë në dorë që mesa më kujtohet, ishte pistolete edhe është ulur nga motori. Personi tjetër, ka pritur në rrugë me motor ndezur. Ai që kishte armën pa folur asgjë, është afruar rreth një metër nga djali që ishte në tavolinën ngjitur edhe e ka qëlluar në drejtim të tij. Mu duk se gjuajtja e parë ka qenë në shpinë. Pastaj kam ulur kokën edhe më tej kam dalë me vrap në rrugë, e kam shkuar te hyrja e apartamentit tim dhe ika në shtëpi. Siç e theksova, të dy kokën e kanë pasur të mbuluar me skafandër edhe me maskë të pjesa e fytyrës. Të veshur kanë qenë me rroba të errëta në sportive. Mendoj se të dy kanë qenë të gjatë rreth 185 cm…”.