MENU
klinika

Dy burrat e Romës!

Dueli më i jashtëzakonshëm në historinë e artit

17.10.2022 - 14:16

         “Bernini vs Borromini” mund të jetë kryeartikulli i gazetave – një proces, një mosmarrëveshje magjepsëse, apo edhe zgjedhje politike. Artikulli ka të bëjë me rivalitetin midis dy burrave, që riformuan siluetën e Romës në shekullin e 17-të. 

Gian Lorenzo Bernini lindi në dhjetor 1598. Nëntë muaj më vonë, Francesco Castelli (më vonë Francesco Borromini) erdhi në jetë. Ata ishin bashkëmoshatarë dhe të dy të destinuar të krijonin mrekulli. Gjithsesi, rrethanat e tyre ishin shumë të ndryshme. Bernini ishte djali i një skulptori, Borromini i një gurgdhendësi. “Jo dhe aq ndryshe deri tani!”. Sidoqoftë, edhe sikur ta provonin, personalitetet e tyre s’mund të ishin më të ndryshme se kaq. Bernini ishte largpamës, i sigurt në vetvete dhe pompoz, ndërsa Borromini ishte i turpshëm, dyshues dhe gjaknxehtë. Teksa Bernini u shpall një mrekulli në moshën 9-vjeçare, i ftuar nga kardinalët dhe i ledhatuar nga papët, Borromini mësoi në heshtje zanatin e të atit, larg zhurmave, larg llamburitjeve të Romës. Pa dyshim, kjo është një histori e “viktimës introverte që takon superstarin ekstrovert”.

Kur je ne Romë…

Personazhet kryesore të kësaj rrëfenje baroke i kryqëzuan rrugët në qytetin e madh, që të dy rreth të njëzetave. Kur Borromini mbërriti në Romë, në 1619, Bernini tashmë ishte skulptor i afirmuar i skenës romake, pasi kishte nxjerrë nga dora një sërë statujash mahnitëse dhe grupe skulpturore të mrekullueshme si për shembull “Apollo dhe Daphne”, “Neptuni dhe Tritoni”, “Përdhunimi i Proserpinës” dhe “Davidi” novator. Në qytetin verior të Milanos, ku jetonte përpara se të shpërngulej në Romë, Borromini kishte mësuar dhe praktikuar gurgdhendjen që në moshën 9-vjeçare. Ai frekuentonte kantieret e zhurmshme të ndërtimit dhe mjediset frymëzuese, të tilla si Veneranda Fabbrica del Duomo di Milano (i njohuri si institucioni i hirshëm, i themeluar në 1387, përgjegjës për mbajtjen dhe zhvillimin e Katedrales së Milanos). Sigurisht, nuk ishte aq i famshëm dhe i freskët sa Bernini, por sigurisht që ishte po aq i gatshëm dhe i etur për t’iu përveshur punës sa tjetri! Në vitin 1627, xhaxhai i Francescos, arkitekti Carlo Madernos, iu ngarkua zgjerimi i një pallati që Maffeo Barberini (Papa Urban VIII) sapo kishte blerë nga kardinali Sforza. Fatmirësisht, “viktima” jonë mund t’i mbështetej kësaj ndihme. Pra, Borromini mori pjesë në projektin e Madernos, së bashku me “superstarin” tonë, natyrisht edhe me emra të tjerë të shquar, si Pietro Da Cortona. Dy magjistarët e mermerit punuan së bashku në “Palazzo Barberini”, por për pak kohë dhe jo pa ngjarje dramatike. Në 1629, Maderno vdiq, duke e lënë të lirë postin e Shefit të Ndërtimit. Borromini kishte dy vite që punonte pranë xhaxhait dhe do të ishte një pasardhës i mirëpërgatitur. Fatkeqësisht, nuk ishte fati i tij. Urbani VIII ishte një adhurues kokëfortë i një skulptori të shkëlqyer. Ai nuk e fshehu këtë dhe emëroi Berninin si shef të ri. Jo pa arsye, do të doja të shtoja! Sipas burimeve historike, Bernini kishte një personalitet të gjallë, shumë të këndshëm dhe simpatik me të gjithë porositësit e tij. Po ashtu, ai gdhendi forma drithëruese, të gjalla nga materiale të forta dhe të pajeta, si askush para tij. Gjithsesi, siç mund ta imagjinojmë, lënia mënjanë duhet të ketë qenë mjaft e pakëndshme për një arkitekt të shkëlqyer…

Papë të ndryshëm, zakone të ndryshme…

Nuk duhet të habiteni, kur të mësoni se kjo daltë nuk mbaroi me kaq! Bashkëpunimi i tyre i parë ndezi një dinamikë që zgjati për gati dy dekada, pasi Urban VIII e parapëlqeu hapur Berninin ndaj gjithë të tjerëve. Situata për Borrominin ndryshoi, kur erdhi në fuqi Papa tjetër, në 1644. Innocenzio X përbuzi paraardhësin e tij dhe të gjithë familjen Barberini. Aq sa të gjithë ata që përfituan nga favori i Urbanit, nën këtë papë të ri, u flakën mënjanë. Dhe kjo përfshinte Berninin. Shumë anekdota që përfshinin rivalitetin e këtyre dy artistëve filluan si thashetheme në shekullin e 17-të dhe u kthyen në mite urbane me kalimin e shekujve. Tek secila shtojnë nuanca në çdo turne rreth Qytetit të Përjetshëm. Një udhërrëfyes i zgjuar nuk mund t’i linte pa i shfrytëzuar këto rrëfenja magjepsëse! Si për shembull rrëfenja për veshët e gomarit dhe pjesët riprodhuese të mashkullit.  Shkurtimisht: nën Innocenzio X, Borromini mori përsipër rinovimin e Pallatit “Propaganda Fide”, që fillimisht iu ngarkua Berninit nga Urban VIII. Rastësisht, superstari i rrëzuar banonte në një ndërtesë pikërisht përballë kantierit të Borrominit… Pra, çfarë bënë këta dy artistë të nderuar, të fortë në aftësitë dhe mjeshtërinë e tyre, për afërsinë e tyre? Natyrisht, nxorën daltat e tyre. Asnjë ndalesë. Borromini kishte një palë veshë gomari të skalitur në pallatin në ndërtim e sipër dhe Bernini e zbukuroi fasadën e shtëpisë së tij me organet gjenitale mashkullore, duke treguar pikërisht nga kantieri. Mjerisht, këto ndërtime anekse nuk janë më. Siç mund ta imagjinoni, jo shumë kohë pasi u ekspozuan nga dy artistët në emër të urrejtjes, ato u hoqën menjëherë nga autoritetet në emër të dekorit.

Burimi i katër lumenjve

Ndër historitë që udhërrëfyesit e lartpërmendur i njohin aq mirë, ndoshta më e interesantja vërtitet rreth “Burimi i katër lumenjve” të Berninit dhe fasadës së Shën Anjezës të Borrominit në Agone. Po flasim për një shatërvan teatror në qendër të “Piazza Navona” (i ndërtuar me guxim revolucionar rreth dhe mbi një hark) dhe një kishë baroke e pozicionuar bukur pikërisht përballë saj. Rreth veprës së Berninit, mund të vlerësojmë bukurinë anatomike të katër figurave mashkullore, që përfaqësojnë katër lumenjtë më të gjatë në botë: Gange, Danubi, Rio de la Plata dhe Nili. Dy lumenjtë e fundit janë në qendër të këtij miti urban. Në foto mund të shohim Rio de la Plata, e cili dorën e majtë e ka të ngritur, sikur po përpiqet të mbrojë fytyrën nga Shën Anjeza në Agone nga shembja e pashmangshme e fasadës. Kurse Nili ka një vel mbi sytë e tij. Thashethemet na bëjnë të besojmë, se Bernini e konsideroi kishën e Borrominit të shëmtuar. Prej këtu qesëndia me gjestin e statujës. Të njëjtat thashetheme romake do të thoshin, se Borromini nuk rrinte duarkryq e të shikonte. Në vend të kësaj, ai vendosi një statujë të vetmuar të Shën Anjezës në fasadë, në themelin e kambanores, me një dorë qetësuese të vendosur mbi gjoks, e cila nënkuptonte se kisha dhe fasada e saj janë të forta, të ndërtuara mirë dhe jo në prag të rrënimit. Thuajse mund ta dëgjojmë tek thotë: “Fli i qetë, Rio de la Plata. Të mbroj unë”.

Gjithashtu, ajo shikon larg nga shatërvani. Mos ndoshta, sepse as Borrominit nuk i pëlqeu puna e Berninit? Në këtë rast, Shën Agnesa do të thoshte: “Eu!” në vend të kësaj, e kështu me radhë. Fare mirë kjo histori mund të kthehet në një libër të Dan Brown. Sigurisht, gjuetia për shenja dhe kuptime të fshehura është zbavitëse, por mund të jetë mjaft çorientuese, edhe në një histori të një rivaliteti të dokumentuar si ky. Të dy shatërvanët dhe kisha janë projektuar dhe ndërtuar në mënyrë të pavarur. Kini parasysh se shatërvani ishte përfunduar dhe zbuluar për publikun përpara se të bëhej fasada e kishës. Në lidhje me pozën dinamike të Rio de la Plata, baroku kishte të bënte me lëvizjen dhe energjinë. Pra, një zgjedhje shumë e koordinuar nga Bernini. Rreth Nilit, burimi i lumit nuk ishte përcaktuar ende gjeografikisht gjatë epokës së dy mjeshtërve tanë.

Pra, sytë e mbuluar janë alegori. Do të doja të isha sentimentale dhe të idealizoja fatin e përbashkët artistik të Berninit dhe Borrominit. Megjithatë, bazuar në shkrimet e lëna nga bashkohësit e tyre, ata kishin shumë pak të përbashkëta, veçse talentin e tyre të lindur. Dikush mund të mendojë se Roma mund t’i ofrojë gjithkujt mundësi të shumta, me detin e paanë të kubeve ​​për të ndërtuar dhe ndryshimin e vazhdueshëm të fytyrës, pas vazhdimësisë së vazhdueshme të secilit papë që u përpoq të linte gjurmë.

Në vend të kësaj, duket se Roma nuk ishte mjaft e madhe! Madje, përfunduan të ishin fqinjë të këqij… Sigurisht, do të ishte e pasaktë të mendohej se Bernini dhe Borromini krijuan ndërtesa dhe monumente të lavdishme, vetëm për të qesëndisnin njëri-tjetrin. Prapëseprapë, ndonjëherë krijimi mund të mos vijë nga pëshpëritja e muzave në veshin e artistit, por nga britmat e përndjekjes dhe talljes në fytyrën e artistit. Jo duke zbritur në mënyrë poetike nga qiejt, por kryesisht tokësore që vlojnë nga zemërimi. Apo, pak nga të dyja? Mes historisë dhe legjendave, qëndron e vërteta e këtij rivaliteti të thadruar në gur./Konica.al

 

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale