MENU
klinika

Pse mund të jetë e kundërta

01.12.2018 - 12:00

Që nga fillimi i vitit të ardhshëm, Kroacia do të rrisë pagën minimale në afro 405 euro, nga 370 euro që është aktualisht. Vendimi i qeverisë kroate do ta çojë pagën minimale në këtë vend në nivele më të larta se shumica e vendeve anëtare të BE-së nga Europa Qendrore dhe Lindore. Kështu, paga minimale në anëtarëin më të ri të BE-së do të jetë më e lartë se në Çeki, Sllovaki, Poloni dhe Estoni.

Nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 37 mijë punonjës, kryesisht në sektorin e industrisë tekstile, të përpunimit të drurit dhe në metalurgji.

Kjo lëvizje del kundër filozofisë mbizotëruese në ekonomitë emergjente, që kanë synuar të mbajnë të ulëta pagat minimale si instrument i konkurrueshmërisë së sipërmarrjeve dhe ekonomive të tyre. Aktualisht, Shqipëria e ka pagën minimale në nivelin 24 mijë lekë ose rreth 192 euro në muaj.

Kjo është pak më shumë se gjysma e pagës minimale dysheme në vendet e Bashkimit Europian. Por, më shumë se krahasimi i shifrave, problemi i pagës minimale është një çështje filozofie.

Një studim i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vë dukej se kostot e ulëta të krahut të punës mund të jenë një pengesë që bizneset të lëvizin drejt rritjes së eficiencës dhe produktivitetit.

E thënë më thjesht, bizneset në vende si Shqipëria e kanë më të thjeshtë të rrisin numrin e punonjësve, sesa të investojnë në teknologji të reja dhe në aftësitë e punonjësve ekzistues, çka do të rriste produktivitetin e punës.

Sipas këtij arsyetimi, rritja e pagës minimale mund të jetë një instrument i dobishëm që bizneset të investojnë më shumë në rritjen e aftësive dhe produktivitetit për punëtor, në vend që thjesht të shtojnë punëtorë. Në teori, kjo do ta bënte biznesin më konkurrues dhe do të përmirësonte aftësitë e forcës së punës.