Barazimi me Islandën në “Air Albania” i dha fund një pjesëmarrje tejet zhgënjyese të Shqipërisë në Ligën e Kombeve ku kuqezinjtë synonin vendin e parë në Ligën B, por e mbyllën të tretët në grup pa regjistruar asnjë fitore.
Goli i pësuar në fund të ndeshjes solli probleme për kuqezinjtë që u kontestuan ashpër nga tifozët, por njëkohësisht ka sjellë edhe një faturë të rëndë për t’u paguar nga FSHF.
Kjo e fundit është lajmëruar nga UEFA se nga sinjalizimet e delegates franceze Gislen Labe, Shqipëria duhej të paguante një faturë të rëndë financiare pasi ishin regjistruar shkelje të ndryshme gjatë sfidës.
FSHF është dënuar të paguajë 8 mijë euro për bllokimin e shkallëve publike. 3750 euro është gjoba për ndezjen e fishekzjarrëve nga tifozët në tribuna, ndërsa hedhjet e objekteve nga këta të fundit në fushë, i kushtojnë FSHF-së një gjobë të rëndë prej 42375 eurosh.
Një total prej 54125 eurosh që do të paguhet nga institucioni i futbollit, si një tjetër ‘shuplakë’ pas dështimit të plotë në arritjen e objektivave.