Autoriteti Rrugor Shqiptar ka paralajmëruar se aksi rrugor Tiranë-Durrës do të jetë përkohësisht i bllokuar në disa segmente të tij duke nisur nga dita e sotme.
Kjo sipas ARRSH, do të bëhet për shkak të rehabilitimit të disa shtresave asfaltike të këtij aksi rrugor.
Gjithashtu bëhet me dije se ky proces pune do të zgjasë për rreth 25 ditë për të dyja senset e lëvizjes. ARRSH përmes një njoftimi kërkon mirëkuptim dhe bashkëpunim nga ana e udhëtarëve.
NJOFTIMI
Në kuadër të zbatimit të kontratës së mirëmbajtjes, më datë 19 tetor 2022 në orët e para të mëngjesit do të fillojë rehabilitimi i shtresave asfaltike të aksit rrugor Tiranë–Durrës, proces pune që sipas grafikut të hartuar do të zgjasë 25 ditë për të dyja senset e lëvizjes.
Procesi i punës do të fillojë nga Ura e Dajlanit në drejtim të Tiranës (deri në mbikalimin e Kasharit).
Do të punohet me njërën korsi, përkohësisht të bllokuar, për një gjatësi prej 500m, sipas skemave të miratuara të menaxhimit të trafikut në bashkëpunim me Policinë Rrugore.
Njëra korsi lëvizjeje do të jetë e lirë për drejtuesit e mjeteve dhe tjetra do të jetë përkohësisht e bllokuar në një gjatësi prej 500m.
Me përfundimin e punës në këtë gjatësi, bllokimi do të spostohet në 500m të tjerë për vijimin e punës.
Me qëllim shmangien e aksidenteve, udhëzojmë drejtuesit e mjeteve, të zbatojnë sinjalistikën rrugore të vendosur në objekt.
Kërkojmë mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës dhe drejtuesve të mjeteve për këtë ndërhyrje që do të kryhet!”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.