Kryeministri Edi Rama po vazhdon me ‘turin’ në bashkitë e vendit, ku po diskutohet mbi punët e qeverisë vendore. Sot ai ka zhvilluar një bashkëbisedim me operatorë turistikë dhe të hotelerisë në qytetin e Gjirokastrës.
Teksa fliste për krizën ekonomike, dhe atë energjetike, Rama nga Gjirokastra u shpreh se paga minimale do të rritet deri në 40 mijë lekë më shpejt nga sa ishte parashikuar.
“Duhet kursyer e nuk duhen dëgjuar hienat e të djathtës së rublave që skërmiten nëpër klubet e netëve televizive duke sharë ministren e energjisë apo ndonjë tjetër që flet për kursim. Ne duhet ta importojmë një pjesë të energjisë, edhe sikur ti kemi hidrocentralet plotë, ne përmbushim vetëm 75% të nevojave, tjetrën duhet ta importojmë prandaj po mundohemi të gjejmë burime të tjera. Të gjitha këto duan edhe kohën e tyre dhe kjo krizë erdhi pa na pyetur. Po bëjmë të pamundurën që inflacionin e luftës dhe krizën e çmimeve ta menaxhojmë sa më mirë. Prandaj kemi bërë rritjen më të madhe të pensioneve të vit, por nuk mjafton. Nuk jam duke thënë të më duartrokisni, jemi shumë mbrapa, duhet ta rrisim më shumë pagën minimale. Por kishim shumë për të rregulluar nga e kaluara. Ne në planin tonë e kishim që të arrijmë 400 mijë lekëshin si pagë minimale para mandatit, duhet ta rrimë më shpejt. Duhet të rrisim më shpejt pagat e punonjësve të shtetit. Do të kemi buxhetin 2-fish të 2013. Për Shqipërinë nuk po shkon keq e më keq, po shkon mirë e më mirë por jo sa duhet të shkojë. Sepse na ranë shumë kriza, tërmeti, pandemia, lufta e këto po kalohen me sukses.”- tha Rama.