MENU
klinika

Falet trajneri i Kastriotit

Disiplina dënon 2 ekipe me 4 ndeshje pa tifozë

19.10.2022 - 18:12

Komisioni  i Disiplinës ka marrë vendimet përkatëse pasi ka analizuar atë çfarë ka ndodhur në fundjavën futbollistike në të gjitha kategoritë e futbollit shqiptar. Erzeni duhet të luajë 4 ndeshje pa tifozë, për shkak të sjelljeve të gabuara të spektatorëve. Gjithashtu, për këtë klub vjen edhe një gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

Lajm i mirë për trajnerin e Kastriotit, Emiliano Çela, i cilit i falet pjesa e mbetur e dënimit dhe do rikthehet të jetë në stolin e krutanëve. Komisioni ka paralajmëruar edhe KF Bylis, duke e këshilluar për mos-përsëritje të sjelljes jo të duhur të tifozëve.Vendimet do të hyjnë në fuqi menjëherë.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF datë 19.10.2022:

KF Erzeni, për dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive, sjelljes së gabuar të spektatorëve si dhe hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, në bazë të neneve 64/2, 65/3/c dhe 65/4/b të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pa spektatorë në stadiumin përkatës dhe gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

FK Bylis, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së sjelljes së gabuar të spektatorëve, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.

FK Egnatia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, në bazë të neneve 65/1, dhe 65/3/c të KDS, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjete mijë) lekë.

Flamurtari FC, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së sjelljes së gabuar të spektatorëve, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.

FK Tomori, për sjelljen e gabuar të spektatorëve duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës si dhe dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive duke lejuar hyrjen brenda rrethimit të fushës të personave të pa autorizuar, që shkaktuan ndërprerje të përkohshme të lojës, në bazë të neneve 64/3/b dhe 65/3/c të KDS, dënohet me zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës si dhe gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Në aplikim të nenit 32/2/3 të KDS, vendoset pezullimi i pjesshëm i zbatimit të dënimit pas shlyerjes së gjysmës së tij. Periudha e pezullimit me kusht, në zbatim të nenit 32/4 të KDS, do të jetë 6 (gjashtë) muaj. Në zbatim të nenit 116/1/a të KDS, gjoba të aplikohet në masën 50%.

FK Apolonia, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së sjelljes së gabuar të spektatorëve, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF

KF Butrinti, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme për turin 1/16 të Kupës së Shqipërisë, kundër FK Dinamo, në bazë të nenit 54/1 të KDS dhe nenit 36/2 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe përjashtohet nga gara për sezonin aktual si dhe atë pasardhës të Kupës së Shqipërisë.

Pranimin e kërkesës së zyrtarit të KS Kastrioti, Emiljano Cela, duke pezulluar zbatimin e pjesës së mbetur të dënimit. Në bazë të nenit 32/4/5 të KDS, zyrtari vendoset në provë për një afat 6 (gjashtë) mujor dhe në rast të përsëritjes të shkeljes disiplinore gjatë periudhës së provës, dënimi i pezulluar i shtohet dënimit të ri.