Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Roma, është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë, shtetasi Eduart Ruçi, 51 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin penal të datës 06.02.2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Eduart Ruçi, në vitin 2019, gjatë kohës që ushtronte profesionin e mjekut, në spitalin e burgut të Peqinit, dyshohet se i ka kërkuar shumën 2000 euro, të afërmit të një dënuari me 35 vjet burgim, për vrasje, që të përpilonte një raport mjekësor, për dërgimin e të dënuarit në spital, për të kryer një operacion.
Gjithashtu, gjatë kohës së ushtrimit të kësaj detyre, shtetasi Eduart Ruçi , dyshohet se ka patur dijeni për një të dënuar që mbante aparat celular në ambientet e burgut, por nuk ka kallëzuar.