Në kujtimet e saj, nga takimi i parë me Fan Nolin, Nexhmije Zaimi do të shkruante:
“Ishte prill i vitit 1924, kur u takova për herë të parë me Nolin në qytetin e Vlorës. Ai kishte ardhur aty, për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të Avni Rustemit. Në karrocën me të cilën shkonim në funeral, bashkë me mua dhe prindërit e mi, ishte edhe nëna e Avni Rustemit, që herë pas here lotonte dhe qante me dënesë. Ky çast mortor u bë shkak të njihesha me Fan Nolin, i cili ndjehej shumë i dëshpëruar për humbjen e papritur të Avniut, që siç thoshte ai, kishte qenë një patriot i rrallë.
Mbaj mend që nëna ime Sherifja, gjatë atyre ditëve vuri në dritaret e shtëpisë pëlhurë të zezë. Ndërkaq, nëna e Avniut për ditë të tëra pas kësaj ndenji në shtëpinë tonë”.
Po me Nolin, Nexhmije Zaimi do të takohej disa herë më vonë në Nju Jork dhe të dy bashkë, do të bëheshin ndër protagonistët kryesorë të federatës atdhetare “Vatra”.
Gazetare dhe publiciste e njohur në SHBA dhe në gjithë komunitetin shqiptar nëpër botë, Nexhmije Zaimi u lind më 14 maj 1917 në Libohovë dhe vdiq më 18 prill 2003, në Santa Barbara, Kaliforni. Jo shumë e njohur në vendin e lindjes, për shkak të sistemit të diktaturës në Shqipërinë komuniste, ajo është gazetarja e parë shqiptare, që punoi për “CNN” dhe “Zërin e Amerikës”.
Ndoqi shkollën e mesme në Kavajë, e drejtuar nga misionarë protestantë amerikanë. Në vitin 1937 u largua nga Shqipëria për në SHBA, ku vazhdoi edhe studimet e larta në universitetin “Wellesley”, në Boston. Gjithashtu, studioi edhe në Shkollën e Lartë të Gazetarisë të Universitetit të Kolumbias, në New York.
Gjatë luftës së Dytë Botërore, Nexhmije Zaimi punoi për Zyrën e Shërbimeve Strategjike (OSS), paraardhëse e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA). Pas luftës, mori një rol shumë aktiv në çështjet shqiptaro-amerikane, duke u bërë presidente e Shoqatës Pan-Shqiptare Vatra, ku edhe bashkëpunoi me shumë atdhetarë të tjerë shqiptarë, si Faik Konica, Fan S. Noli, Abaz Kupi etj. Nga komuniteti shqiptar në Nju Jork, do të njihej si Zonja e Parë e Shqipërisë.
Gjatë punës si gazetare në gjigantët mediatikë, ajo ka shkruar një sërë artikujsh të rëndësishëm për shtetet e Lindjes së Mesme dhe konfliktet ndërkombëtare, si ai i Palestinës. Ajo ka intervistuar personalitete, si mbretin Husein të Jordanisë, mbretin Naser të Egjiptit, etj.
“Sepse Shqiptarët kanë qenë popull luftëtar që në kohën kur fiset e para të Arianëve u shtynë drejtë Evropës në kërkim të një strehe. Ata i ndërtuan shtëpitë përgjatë brigjeve të Adriatikut, duke ndërtuar në majat e maleve dhe mbi shkëmbinjtë e thatë, ku nuk rritej gjë tjetër përveç shpresës. Nga shqiponja madhështore, e cila ende e bën folenë e saj atje në majat më të larta, për të mbrojtur të vegjlit, këta njerëz primitivë e quajtën veten ‘Shqiptarë’ – ‘Bij të Shqiponjes’ dhe shkëmbinjtë e tyre ‘Shqipëri ose Tokë e Shqipes.” – do të shkruante ajo, në vitin 1938, në librin autobiografik “Daughter of the Eagle; the autobiography of an Albanian girl” ( “Vajza e Shqipes; autobiografia e një vajze shqiptare”), botuar në SHBA, duke u bërë kështu shkrimtarja e parë shqiptare (femër) që publikon një autobiografi.
Nexhmije Zaimi është nderuar me dekoratën “Medalja e Mirënjohjes” nga presidenti i SHBA-së Franklin D. Rusvelt, si dhe me dekoratën “Komandante e Kryqit të Kuq të Italisë”.