Kriptovalutat kanë prekur fundin në javën e fundit të nëntorit. Bitcoin ra drejt 4,000 dollarëve dhe të gjithë monedhat alternative ndoqën këtë tendencë. Indeksi i Bloomberg që mat vlerën në treg të kriptovalutave, ka treguar rënie me 23% nga data 16 Nëntor, që është rënia më e madhe javore që kur monedhat arritën majën në fillim të Janarit 2018.
Pas një rritjeje madhështore vitin e kaluar, që tejkaloi edhe flluskat më të famshme në histori, kriptovalutat kanë humbur thuajse 700 miliardë dollarë në vlerë tregu. Shumë prej shqetësimeve që nxitën kolapsin e vitit 2018, përfshirë rritjen e mbikqyrjes rregullatore, përplasjes brenda komunitetit dhe kaosit në kursin e këmbimit, janë përshpejtuar këtë javë.
Sipas analistëve, ka ende shumë njerëz të përfshirë në këtë lojë dhe nëse vlera e Bitcoin shkon drejt 3,000 dollarëve, njerëzit do të arratisen nën panik. Vlera në treg e të gjithë kriptovalutave, matur nga CoinMarketCap, u tkurr në 138 miliardë dollarë, nga 835 miliardë dollarë që ishte kulmi i muajit Janar.
Ndër viktimat e etheve të kriptovalutave janë investitorët individualë që u “turrën” për të blerë monedha kur çmimet arritën majën dhe kompanitë si Nvidia, që furnizojnë ekosistemin e kriptovalutave. Nvidia, që prodhon karta grafike për kompjutera, humbi thuajse gjysmën e vlerës që prej Tetorit, ndërkohë që kërkesa për këto ra ndjeshëm.
Ndikimi ekonomik i kolapsit të kriptovalutave ka qenë i limituar deri më tani, pjesërisht për shkak se bankat gjigante dhe fondet e investimeve nuk janë ekspozuar shumë ndaj tyre.