MENU
klinika

Linja e re mbaron në 2020

Tiranë-Durrës, ja sa do të kushtojë bileta e trenit

01.12.2018 - 13:18

Bileta e trenit për linjën e rikonstruktuar Tiranë-Durrës do të jetë 1 – 1.2 euro. Kjo linjë pritet të përfundojë brenda vitit 2020 dhe do të jetë gjithashtu një degëzim që do të shkojë drejt Aeroportit të Rinasit.

Degëzimi i Rinasit do të fillojë në kilometrin e 27-të nga Durrësi dhe përfundon me një terminal pasagjerësh në Aeroportin “Nënë Tereza”.  Linja e rehabilituar Tiranë-Durrës do të lejojë një shpejtësi treni të paktën 100 km/h.

Kosto totale e projektit kap vlerën e 90 mln euro, nga të cilat 16 milionë euro do të financohen nga buxheti i shtetit, 36 mln euro janë hua e Bankës Botërore, ndërsa 35.4 milionë euro janë dhënë nga Bashkimi Europian në formë granti.

Në fillim të tetorit, Këshilli Kombëtar i Territorit dha lejen e ndërtimit të linjës hekurudhore. Me pajisjen me leje ndërtimi, tashmë rruga është e hapur për parin projekt madhor të investimit në hekurudha në epokën post-komuniste. Aktualisht, transporti hekurudhor i pasagjerëve është pothuajse i paralizuar dhe vazhdon të mbështetet në infrastrukturën e ndërtuar gjatë komunizmit.

13 vjet më parë, qeveria e Fatos Nanos nënshkroi një kontratë për ndërtimin e një treni elektrik në itinerarin Tiranë-Durrës, por kontrata u anullua nga qeverisja Berisha menjëherë pas ardhjes në pushtet. Për këtë anullim, Shqipëria u detyrua të paguante edhe një gjobë ndaj kompanisë kontraktore, General Electric.