MENU
klinika

Njeriu i të gjitha talenteve!

Gjenerata “Beat”, shkrimtari i lirisë…

21.10.2022 - 15:23

        Jack Kerouac, djaloshi përjetësisht i pashtruar par excellence, është një nga baballarët e gjeneratës “Beat”, së bashku me William Burroughs dhe Allen Ginsberg./Konica.al

Sikur ta dinte! Tetori ishte muaji i tij i preferuar. Kerouac vdiq më 21 tetor 1969, në moshën 47-vjeçare. Ai që kishte qenë sportist, ishte shndërruar në një burrë të rraskapitur, i dehur, i drobitur nga alkooli. Ai i kishte të gjitha talentet. Njerëzit e donin. Gratë vraponin pas tij; burrat donin të ishin miqtë e tij. Publikimi “Në rrugë” (“On road”), në vitin 1957, ishte fitorja dhe disfata e tij. Libri u shndërrua në manifest të gjeneratës “Beat” (“Rrahje”). Fama i ra si një kudhër pas shpine. Nuk e kapërceu dot. A i pëlqeu? “Është si gazetat e vjetra, të marra nga era në Bleeker Street”. Më shumë se gjashtëdhjetë vjet pas botimit të parë, “Në rrugë”  mbetet ende romani më i vjedhur, më i kopjuar, më i piratuar në botë; i dyti vetëm, pas Biblës. Kerouac i ndërpreu studimet universitare dhe u end për vite me radh,ë mes qyteteve amerikane, duke ushtruar profesionet të ndryshme (marinar, punonjës hekurudhor, rojtar etj.), por gjithmonë i vendosur të shkruajë një roman të ri, një poemë ose një tregim të shkurtër . Brezi i “Beat” bëhet model jete në vitet 1950: nomadizmi ishte formë e refuzimit të rregullave sociale amerikane nga djemtë e rinj, të etur për jetën. Pikërisht për këtë flet Jack Kerouac në romanet e veta: për dëshirën për t’u arratisur, për t’u hedhur në rrugë e zbulojë çdo pëllëmbë të Amerikës, për t’u dhënë pas drogës dhe alkoolit, për dëshirën kolektive  të lirisë.

I lindur më 12 mars 1922, Jean-Luois Lebris de Kerouac, i njohur Jack Kerouac, ishte djali i emigrantëve franko-kanadezë. Që i vogël iu përkushtua shkrimit, tregimeve apo faqeve të ditarit, artikujve imagjinarë me tema të ndryshme, duke e shpenguar veten në nevojën e natyrshme për të çliruar mendimet në letër. Gjatë endjeve, ai do të takojë William Burroughs, Allen Ginsberg, Neal Cassady, ky i fundit do të bëhet miku më i mirë dhe personazhi i shumë romaneve. Veprat e tij janë një troshitje e domosdoshme për Amerikën e atyre viteve dhe parashikojnë lëvizjet studentore të ‘68-ës. “Do të marr një rrotull letre për ta vendosur në makinën e shkrimit dhe do t’i shkruaj gjërat sa më shpejt që të mundem, saktësisht siç kanë ndodhur, të gjitha me një hap dhe në dreq me ato mënyra false”, – tha 29-vjeçari në vitin 1951./Konica.al

Përmes një stili ritmik e të menjëhershëm, Kerouac flet për jetën në rrugë, për alkoolin dhe seksualizmin, për kërkimin e ndërgjegjes përmes drogës, por edhe për fenë, katolike dhe budiste. Çdo faqe e shkruar, çdo cigare, çdo gotë e hedhur poshtë, është një përpjekje për të mbushur ndjenjën e boshllëkut, që ne e quajmë përditshmëri. “Në rrugë” është një muzikë e largët, që nuk ka nevojë për prezantime, me autenticitet të madh. Nëse Sal Paradise është syri, kamera gati për të përjetësuar çdo moment çmendurie të arratisjes së tyre në rrugë, plaku Dean Moriarty është një fishekzjarr gati të shpërthejë, që digjet e digjet pafundësisht. Në praninë e tyre ne jemi ëndërrimtarë të dështuar. Është dëshira për një pafundësi të ndaluar, që i drejton ata sa më larg nga hija e mërzisë që është vdekja. “Duhet të shkojmë dhe të mos ndalemi derisa të arrijmë atje”. “Ku të shkojmë?”. “Nuk e di, por duhet të ikim”. Ata sfidojnë rregullat e jetës borgjeze, duke e lënë veten të kalojnë në kaosin e pasigurisë. I paharrueshëm, sepse në mënyrë autobiografike, Jack Kerouac përshkruan kujtimet e një epoke të humbur, ndoshta e vetmja epokë, në të cilën, pa e kuptuar, njeriu është vërtet i lumtur. E shohim Kerouac-in në të gjitha aspektet. Sinqeriteti që e dallon, zëri rebel dhe spontan, i shthurur dhe i lirshëm. Asnjë mendim nuk mund të censurohet dhe është ritmi i xhazit që i rrjedh në vena. Një ëndërr letrare u rekomandohet të lodhurve nga monotonia, që nuk duan asgjë më shumë sesa rrugën dhe udhëtimin, të gatshëm për të zbuluar vetveten dhe botën, me një këndvështrim të ri. Pra, Liria.

Nëse do të kishte një imazh, vetëm një, i aftë për të rikthyer kuptimin e jetës së Kerouac-it, do të ishte një makinë që lëviz gjatë natës, në zemër të Amerikës. Kerouac, do të mbetet një shkrimtar i etur për përvoja të reja. Gjuha e tij është një nga revolucionet e shumta: i ngjan valëve, është e shpejtë, ka të gjitha ngjyrat e jetës, të lë pa frymë. Ajo ushqehet me zhargon, është e molepsur me kinemanë, teatrin, muzikën dhe mbi të gjitha, me mijëra copëza nga humori i rrugës./Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kur Stalini telefonoi Pastërnakun...

”Le Monde” analizon veprën e Ismail Kadaresë

Vetëvrasja e shkrimtares

‘Fundi tragjik i Virginia Woolf’


Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale