Si sot, në vitin 1982, ai paraqiti albumin e dytë solo ‘Thriller’, i cili bëhet albumi më i shitur i të gjitha kohërave.
Majkëll Xhozef Xhekson (Michael Joseph Jackson), lindi më 29 gusht 1958 në Gary, Indiana. Ishte muzikant, këngëtar, autor, producent, kompozitor, koreograf, prodhues, kërcimtar amerikan.
I pagëzuar si ‘Mbreti i Popit’, apo siç kanë dëshirë ta quajnë adhuruesit e kësaj muzike, ‘King of Pop’, ai njihet si një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Kontributet e Xheksonit në muzikë, kërcim, modë, e kanë bërë atë një figurë globale në kulturën botërore për më shumë se katër dekada.
Shfaqjen e parë në skenën e muzikës argëtuese të të rriturve, Majkëll Xheksoni e pati si fëmijë në gjirin e bandit familjar “Xhekson 5” të cilin e kishte ngritur i ati i tij Xhozefi, i dhënë pas muzikës.
Që në koncertet e para që mbante ky grup në turne anembanë ShBA-së, Majlkëlli përpos zërit u dallua edhe për aftësitë e tij rreth mjeshtrisë së muzikantit dhe prezantimit para studiove regjistruese. Kështu që, vetëm pesë vite pas debutimit në grup, më 1971 Majkëlli si solist regjistron këngën e tij të parë me titull “Got to be there.”
Në vitin 1982, Majkëll Xhekson në bashkëpunim me firmën “Quincy Jones” bëjnë regjistrimin e këngës ‘Thriller’ dhe videoklipit të saj. Paraqitja kompakte e albumit, videoklipe të cilësisë së lartë duke mos nënçmuar dhe vetë vlerën e këngëve në vetvete, bënë që emri i Majkëll Xheksonit të hyjë jo vetëm në historinë e muzikës argëtuese, por edhe më gjërë.
Si do që të jetë, me këngën ‘Thriller’ dhe videoklipin përkatës, Majkëll arrin të hapë një degë të re ekonomike të paparë deri në atë kohë në botën perëndimore.
Paraqitja kompakte e albumit, nëpërmjet tonit, vallëzimeve, ekranizimin e një tregimi dhe me një program propagandistik ekonomik para adhuruesve të muzikës, bënë që albumi në fjalë të kapërcej jo vetëm kufijt e ShBA-së, por edhe të Evropës e të shitet në mbarë botën.
Me këtë, Majkëll Xheksoni kishte arritur që vetëm me një album të rradhitet në krye të listës së këngëtarve më me famë të të gjitha kohërave. Edhe lista e njohur e rekorderve të njerëzimit, për vepren e tij, Majkëll Xheksonin e cilësonte si “Artisti më i suksesshëm i të gjitha kohërave” (Most suçessful entertainer of all time).
Majkël Xhekson me veprën e tij ka thyer shumë rekorde botërore në industrinë e muzikës, mes të cilëve atë të albumit më të shitur të të gjitha kohërave ‘Thriller’ ( mbi 104 milion kopje).
Krijimtarinë e tij muzikore e kanë vlerësuar edhe festivale të ndryshme të muzikës anë e mbanë botës. Ndër to më i njohuri, festivali Grammy Awards, e ka shpërblyer për më se 13 herë.
Nga viti 1988 deri më 2005, Majkëll Xhekson jetoi në sarajet e tij të quajtura Neverland Ranch. Në oborrin e kësaj ‘ferme’, ai kishte ndërtuar një park lojrash dhe një kopsht zoologjik për fëmijët e varfër dhe për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Vizitat e shumta të fëmijve në sarajet Neverlend Ranç dhe afërsia e ngushtë e Majkëll Xheksonit me ta shkaktuan dyshime në sy të armiqëve të tij. Kështu që, edhe kjo dukuri nuk mbeti pa u komentuar nga mediat.
Më 1993, vjen akuzimi i tij i parë për joshje sekuale të një fëmije, vizitor i sarajeve. Pas një marrëveshje jashtë gjykatës për të cilën thuhet se Majkëll Xhekson i kishte dhënë një shumë të madhe parash familjes së fëmijës, djaloshi deklaron para gjykatës se nuk dëshironte të jepte dëshmi për shkak të imazhit personal.
Si do që të jetë, edhe pas lirimit nga akuza, çështja e ngritur nga kundërshtarët e tij rreth marrëdhënieve të Majkëll Xheksonit vazhduan të dominojnë shkrimet në media. Kjo çështje nuk mbeti si e tillë vetëm në media, por u shtrua edhe më gjërë.
Kështu më 2005, Majkëll akuzohet për të njëjtën çështje, por me një fëmijë tjetër. Në fund të gjykimit, u shpall i pafajshëm dhe u lirua në mungesë të dëshmive nga 10 akuzat e ngritura ndaj tij.
Në fillim të qershorit të vitit 2009, Xhekson paralajmëroi turneun e tij të fundit në Londër. Më 25 qershor 2009, në një vilë të marrë me qera në ‘North Carolwood Drive në Holmby Hills’, një distrikt i Los Angeles, ai vdiq nga një atak kardiak në zemër.
Ky atak në zemër kishte ndodhur për shkak se doktori personal i Majkëlli-t, Conrad Murray, i dha një dozë të madhe ilaçi ‘Propofol’, morfinë, lorazepam dhe midazolam për shkak të mungesës së gjumit. Conrad Murray u shpall fajtor dhe vuajti dënimin me burg për 4 vjet për vrasje të paqëllimshme.
Lajmi i vdekjes së këngëtarit u përhap shumë shpejt nëpër internet. Në datën 26 qershor në të gjithë botën, gazetat, televizionet dhe çdo rrjet informativ flisnin për të.
Memoriali i tij u mbajt më 7 korrik 2009 në ‘Staples Center’ të Los Angeles-it, i cili u ndoq nga një shërbim privat familjar në ‘Forest Lawn Memorial Park’s Hall of Liberty’. Sipas statistikave, eventi arriti rreth 3 miliardë shikues në të gjithë botën duke e bërë atë transmetimin live më të shikuar në të gjithë historinë televizive.
Vajza e Xheksonit, Paris Katherine, qante ndersa tha: “Qëkur linda, babi ka qenë babai më i mirë që mund të imagjinoni… Unë thjesht doja të thoja që e dua… Shumë.”
Në 25 qershor 2010, fansat e këngëtarit udhëtuan në Los Angeles për t’i kushtuar tribute. Ata vizituan Yllin e Xheksonit në ‘Hollywood Walk Of Fame’ dhe shtëpinë e familjes së tij ndërsa në 25 Qeshor 2012 fansat dërguan rreth 11.000 trëndafila në vendin ku prehet Majkëll Xhekson.
Në testamentin që Majkëlli e kishte formuluar në Paris, kishte lënë të gjithë pasurinë familjes. Rreth 30 milion dollarë dhe disa gjëra me vlerë si apartamente dhe hotele. Ky testament është kundërshtuar nga familja Xhekson e cila pretendon se është ndryshuar nga avokatët e Majkëllit dhe se trashëgimia e vërtetë që ai i ka lënë familjes së tij arrin deri në 500 milion dollarë.
Për të mos u shuar nami i emrit të Majkëll Xheksonit si dhe vepra e tij, jo vetëm familja e shoqëria e ngushtë, por edhe industria muzikore së bashku me ta edhe gjenerata e vjetra të dëgjuesve të muzikës Pop dhe gjenerata e re, e kanë rimëkëmbur veprimtarinë tij.
Kësaj dukurie të “ringjalljes” së ‘Mbretit të Pop-it’, si duket i kanë prirë mediat me thashetheme të ndryshme. Ekzistojnë ende mendësi dhe opinione, besime të thella e deri në thashetheme, që Majkëlli nuk ka vdekur vërtet, por është larguar për të mos u shfaqur më kurrë publikisht. Në fakt kjo mbetet vetëm një hipotezë, teori koncpirative apo thashethe, quajeni si të doni.