MENU
klinika

Nga 100 mijë, deri në 1 mln euro

Gjobat ndaj futbollistëve, Ronaldon e kalon Tevez

21.10.2022 - 19:00

Jashtë ekipit për ndeshjen kundër Chelsea-t, më pas falja publike dhe tani… gjoba. Cristiano Ronaldo vazhdon të paguajë, në kuptimin e vërtetë të fjalës, pasojat e zhgënjimit të tij me situatën te Manchester United.

“Mirror” sqaron se pesë herë Topi i Artë do të duhet të paguajë një gjobë mbi 800 mijë euro për mosrespektimin e rregullave të grupit. Në çdo rast, sigurisht që nuk është e para e gjobave marramendëse.

Ka nga ata që kanë arritur të sanksionohen për gjëra më absurde dhe nga ata që madje kanë dashur të paguajnë më shumë seç duhet të paguajnë…

WALKER – Festa në karantinë e Kyle Walker kushtoi shtrenjtë, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Futbollisti i City u kap me dy eskorta gjatë izolimit dhe klubi i tij vendosi t’i jepte një dënim shembullor. Për mbrojtësin e krahut të kombëtares angleze, mbërrin një super gjobë prej 250 mijë sterlinash.

ICARDI – Fillimi i vitit 2019 ishte shumë i zhurmshëm për Mauro Icardin: në fillim të janarit, Interi i dha sulmuesit një gjobë maksimale për kthimin me vonesë. Sulmuesi kishte paralajmëruar kompaninë për fluturimin e anuluar, por në fund masa ishte e rëndë ndaj tij pikërisht sepse…deri në atë moment argjentinasi ishte kapiten! Një gjobë prej 100 mijë eurosh në prag të takimit për rinovimin e kontratës së tij.

NAINGGOLAN II – Një lojtar i madh me kufizime në sjellje që nuk u zhdukën as kur zbarkoi në Milano. Mesfushori belg u përjashtua nga ndeshja mes Inter-it dhe Napolit në vitin 2018 për shkak të paraqitjes me vonesë në stërvitje më 23 dhjetor. Mbi 100 mijë euro gjobë edhe për të.

NAINGGOLAN I – Në fund të fundit, Radja Nainggolan e mbylli 2018-ën ashtu siç e kishte hapur: në janar të vitit paraardhës u gjobit nga Roma pas natës së çmendur të Vitit të Ri. Në atë kohë belgu kishte dhënë më të mirën (ose më të keqen) nga vetja me alkoolin, duhanin dhe sharjet drejtpërdrejt në rrjetet sociale. Klubi përdori një grusht hekuri: gjobë rreth 100 mijë euro.

DEMBELE – Dhjetori 2018 ishte një muaj i komplikuar për Ousmane Dembele në Barcelonë: dy orë vonesë në stërvitje në prag të ndeshjes së Champions League me Tottenham i kushtoi atij një gjobë prej 100,000 euro. Gjithë faji i orëve të vona dhe kohës së gjatë të kaluar para video-lojërave. Francezi u fal me super golin ndaj Spurs…

ANDY VAN DER MEYDE – Kishte një talent të madh, por edhe një pasion të rrezikshëm: festat. Dhe kështu në kohën e Everton-it, holandezi u gjend në një vorbull alkooli, grash dhe droge. Në vitin 2006, kur ai nuk paraqitet në stërvitje Moyes e gjobiti me 45,000 sterlina. Legjenda thotë se VDM e ka paguar deri në 90,000.

BENITEZ – Gjyqtarët nuk preken në Angli. Rafa Benitez, në fakt, ishte paralajmëruar që të mos e tepronte me gjyqtarin e caktuar për të drejtuar ndeshjen midis Newcastle dhe Crystal Palace. Vendimi i federatës erdhi dhe Rafa duhej të paguante një gjobë mjaft të rëndë: 60 mijë euro.

CARLOS TEVEZ – Por askush nuk do të jetë kurrë në gjendje të konkurrojë me Carlo Tevez, i cili në kohën e Manchester City arriti të marrë një gjobë prej mbi një milion sterlina. Çfarë bëri Apache? Ai thjesht ndoqi këshillën e Mancinit. Gjatë ndeshjes së Champions League kundër Bayernit në 2011, sulmuesi refuzon të hyjë.

Trajneri, i zemëruar, i thotë të kthehet në Argjentinë dhe Tevez nuk e lë ta përsërisë dy herë. Ai merr avionin dhe nuk dëshiron të shkelë më në Angli. Fillimisht klubi e gjobiti me 500 mijë sterlina për dy javë mungesë, e cila më pas u bë një milion e dyqind mijë pasi argjentinasi qëndroi në shtëpi për gati një muaj e gjysmë…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN