Angelina Jolie është një nga aktoret që merr vëmendjen me çdo rol të saj. Këtë herë një “sfidë” e re e pret aktoren hollivudiane. Në veçanti, ajo do të luajë sopranon e njohur, Maria Callas. Filmi do të tregojë historinë e trazuar, të bukur dhe në të njëjtën kohë tragjike të jetës së sopranos së famshme.
Skenari është firmosur nga krijuesi i “Peaky Blinders” dhe “Spencer”, Steven Knight. Filmi do të fokusohet në ditët e fundit të Maria Callas në Paris në vitet 1970. Në një deklaratë, aktorja hollivudiane tha: “Unë e marr shumë seriozisht përgjegjësinë që kam për të paraqitur jetën dhe trashëgiminë e saj.
Do të jap maksimumin për të përballuar sfidën. Pablo Laren është një regjisor që e kam admiruar prej kohësh. Të më jepet mundësia për të treguar më shumë historinë e Maria Callas me të, shkruar nga Stephen Knight, është një ëndërr e realizuar”, ka thënë Angelina Jolie.
Maria Callas është përshkruar nga Leonard Bernstein si “Bibla e operës”. Ajo shquhej jo vetëm për zërin e saj, por edhe për qëndrimin e veçantë, pasi të gjithë e quanin “diva”. Sigurisht që është përfolur shumë për lidhjen e saj me Aristotle Onassis, para se ai ta linte për Jackie Kennedy.