MENU
klinika

Rrugët që do të jenë të bllokuara (HARTA)

Sot maratona e Tiranës, si do të devijohet qarkullimi i automjeteve

23.10.2022 - 08:00

Në ditën e sotme në kryeqytet do të zhvillohet Maratona e Tiranës. Për shkak të këtij eventi sportiv disa nga rrugët do të jenë të bllokuara për automjetet.

Policia bashkiake informon se në të gjithë perimetrin e garës është vendosur sinjalistikë të përkohshme rrugore, ndalim qëndrimi dhe pushimi për mjetet.

Ajo apelon qytetarët që të mos tentojnë të hyjnë me automjet brenda perimetrit, gjatë zhvillimit te garës, pasi është rreptësisht e ndaluar, si dhe do të duhet t’u binden shërbimeve policore në devijimet eventuale të trafikut.

“Ato mjete që do të gjenden të parkuara në rrugët ku do të zhvillohet gara, do të spostohen me mjet ngritës nga shërbimet policore. Ata që do të duan të lëvizin me automjetet e tyre, që ndodhen të parkuara në brendësi të lagjeve dhe brenda perimetrit të garës, t’i nxjerrin ato jashtë perimetrit, përpara orës 08:00 të datës 23 Tetor, pasi rrugët do të bllokohen deri në orën 16:00 dhe nuk do të kenë mundësi të hyjnë-dalin, nga zona e perimetrit te garës me automjet”, njoftoi policia bashkiake.

Gjithashtu u kërkoi përdoruesve të biçikletave, monopatinave, apo motorëve elektrikë, të cilëve u kërkohet që të mos lëvizin në rrugët ku do te jenë vrapuesit gjatë zhvillimit të garës.

“Maratona e Tiranës” do të zgjasë nga ora 08:00-16:00. Policia Bashkiake u bëri apel qytetarëve që të përdorin sa më pak të jetë e mundur automjetet private për të shmangur trafikun në qytet.