Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se në mbledhjen e sotme, Komisioni i Konkurrencës vlerësoi përputhshmërinë me rregullat e konkurrencës të draft Marrëveshjes Kuadër për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.
Në përfundim të vlerësimit të draft Marrëveshjes Kuadër dhe marrëveshjeve të tjera të dakortësuara, Komisioni i Konkurrencës vendosi t’i rekomandojë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që “përpara se Porti Marina Jahte Durrës të deklarohet i hapur për trafik ndërkombëtar, të miratojë metodologjinë e përcaktimit të tarifave të shërbimeve portuale të ofruara nga Investitori Strategjik, tarifa të cila duhet të jenë të orientuara drejt kostos”.
Rekomandim tjetër është që “Investitori Strategjik të miratojë një rregullore mbi funksionimin e Portit Marina Jahte Durrës ku të përcaktojë qartë mënyrën e operimit të mjeteve lundruese sipas parimit “kush hyn i pari do shërbehet i pari”, si dhe të drejtën e barazisë për shoqëritë që do të kryejnë shërbime pranë këtij porti, duke vendosur kushte të barabarta për veprime tregtare të njëjta”.
Në fund, “Investitori Strategjik të miratojë programe të përputhshmërisë me ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës”, për të gjitha shërbimet që do të ofrojë në Portin Marina Jahte Durrës”.