Në një sondazh që zhvillova para dy javësh për një revistë vendase, pyeta edhe se për cilin nga tre politikanët kryesorë kanë opinionin më pozitiv shqiptarët.
Meqënëse të anketuarit u pyetën për moshën (si zakonisht në sondazhe opinioni), jam në gjendje të llogaris rezultate vetëm për grupmoshën 18-34 vjeç, që është grupmosha më e lakmuar për tu joshur nga politikanët në mediat sociale (e më pas në kutitë e votimit).
Nga sondazhi rezulton (shihni Tabelën shoqeruese) se pothuaj gjysma (45.7%) e të rinjve 18-34 vjeç nuk preferojnë asnjë nga tre politikanët kryesorë (me ekstrapolim të përafërt, rreth 320 mijë të rinj).
Ramën e preferojnë 32.4% e të rinjve (me ekstrapolim të përafërt, rreth 227 mijë të rinj), Berishën 17.1% (me ekstrapolim të përafërt, rreth 120 mijë të rinj), dhe Metën 4.7% (me ekstrapolim të përafërt, rreth 33 mijë të rinj).
Grupmosha 18-34 vjeç dominon në popullsinë e rritur – 1/3 e banorëve të rritur i pëkasin kësaj grupmoshe.