Sot është 105-vjetori i themelimit të Liceut Francez në Korçë. Ky institucion i arsimit të mesëm hapi dyert me vendim të qeverisë së Republikës Autonome të Korçës. Në vitin 1921 u emërtua si “Liceu Kombëtar i Korçës”. Veprimtaria e tij do të shtrihej përgjatë periudhës së parapushtimit italian, deri në vitin 1939.
Liceu i Korçës ishte një shkollë e mesme, e financuar nga qeveria shqiptare, por që përhapte kulturën franceze dhe vlerat evropiane. Shkolla funksionoi plotësisht në vitet 1917-1939. Përveç lëndës së gjuhës shqipe, lëndët e tjera të programit mësimor, kryheshin në frëngjisht.
Me rastin e kësaj dite të shënuar, në mjediset e liceut të dikurshëm, sot gjimnazi “Raqi Qirinxhi”, është zhvilluar një veprimtari përkujtimore, ku kanë qenë të pranishëm kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, prefekti Nertil Jole, profesorë etj.
Liceu Francez ishte shkolla e parë e kulturës së përgjithshme në Shqipëri, e cila ka nxjerrë figura të shquara të botës akademike dhe jetës shoqërore në vend.
“Për ne korçarët është një krenari e veçantë që historikisht kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi ne pararojë të zhvillimeve në fushën e arsimit edhe në rang kombëtar. Përveç shkollës së parë shqipe ne krenohemi me Liceun Kombëtar, sot shkolla “Raqi Qirinxhi” e cila trashëgon një traditë emblematike sa i përket kontributit në arsimin shqiptar”, u shpreh gjatë takimit, prefekti i Korçës, Nertil Jole.
Prefekti uroi shkollën “Raqi Qirinxhi” për suksese të tjera, punë e cilësi, për të mbajtur lart emrin e Liceut Francez por edhe emrin që mban sot.