MENU
klinika

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tregon pasojat

Ekonomia mund të vuajë nga inflacioni i lartë për shumë kohë

28.10.2022 - 10:03

“Ekonomia shqiptare rrezikon të përjetojë një periudhë të gjatë me inflacion të lartë, në mungesë të reagimit të politikës monetare”.

Kështu u shpreh guvernatori Gent Sejko në konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë. Në tremujorin e tretë të këtij viti, inflacioni kulmoi në 8 për qind, niveli më i lartë ky prej 1998.

“Pjesa më e madhe e artikujve të shportës shfaqin një normë inflacioni mbi objektivin tonë prej 3%. Po ashtu, artikujt e shportës me normë të lartë apo në rritje inflacioni nuk janë më vetëm mallra e shërbime me origjinë importi, por edhe produkte, të cilat pjesën më të madhe të vlerës së shtuar e gjenerojnë në vend. Identifikimi i reagimit të duhur ndaj kësaj goditjeje përbën një sfidë madhore për qeveritë, për bankat qendrore, për tregjet e ndërmjetësit financiarë, por edhe për bizneset dhe familjet. Për qeveritë, tensioni ekonomik dhe social që inflacioni i lartë sjell mbi shtresat më të varfra të shoqërisë dhe segmentet më të brishta të ekonomisë, artikulohet në kërkesat e shtuara për mbështetje fiskale.

Megjithatë, plotësimi i këtyre kërkesave bëhet problematik, për sa kohë financat publike janë në presionin e pasigurisë për të ardhmen dhe të kostove të rritura të financimit të borxhit”, tha Sejko duke vënë në dukje më tej se për bizneset dhe familjet, inflacioni i lartë përbën një sfidë korrente për kostot e jetesës dhe të biznesit, por dhe një sfidë afatgjatë mbi planet e tyre financiare dhe të biznesit.

Banka e Shqipërisë, shtoi ai, ka rritur katër herë normën bazë të interesit gjatë vitit 2022, duke e sjellë atë nga niveli minimal historik prej 0.5% në nivelin aktual prej 2.25%.

“Në këndvështrimin tonë, ky normalizim është një masë e domosdoshme për ruajtjen e ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit.

Ai synon të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për respektimin e mandatit tonë ligjor të stabilitetit të çmimeve dhe për kthimin e inflacionit në objektiv brenda një horizonti kohor dyvjeçar, duke minimizuar në të njëjtën kohë luhatjet afatmesme dhe afatgjata në aktivitetin ekonomik”.

PASOJAT
Guvernatori u ndal edhe në pasojat që mund të sjellë norma e lartë e inflacionit. “Inflacioni i lartë dhe i qëndrueshëm sjell në mënyrë të pakontestueshme pasoja negative për zhvillimin ekonomik e social, pasoja të cilat tentojnë të jenë më të mëdha për vendet në zhvillim si Shqipëria.

Redukton nivelin dhe rrit luhatjet e rritjes ekonomike në afatin e gjatë. Efekti negativi inflacionit buron nga rritja e pasigurisë dhe shpërndarja jo eficiente e burimeve financiare dhe njerëzore në ekonomi, si pasojë e reduktimit të aftësisë sinjalizuese të çmimeve të tregut.

Këto pasoja përforcohen më tej nga rritja e vëmendjes së bizneseve dhe familjeve ndaj mbrojtjes financiare, në kurriz të investimeve afatgjata në aktive fizike, si dhe nga rritja e kostove reale të financimit, në pasqyrim të reduktimit të kursimeve financiar. Në këndvështrimin social, teoria dhe praktika botërore dëshmojnë se inflacioni i lartë rrit pabarazinë sociale, duke prekur më shumë shtresat me të ardhura të pakta”, vuri në dukje Sejko.

ECURIA EKONOMIKE
Lidhur me ecurinë ekonomike, projeksionet e Bankës së Shqipërisë sugjerojnë se ekonomia do të vijojë të rritet në afatin e mesëm dhe të gjatë.

“Po ashtu, rezultatet e simulimeve tona sugjerojnë se sistemi bankar ka një shkallë të kënaqshme rezistence, edhe ndaj goditjeve relativisht ekstreme ekonomike dhe financiare. Në mënyrë metaforike, ne hyjmë në këtë betejë të bindur se kura jonë do të shërojë sëmundjen, por sado e hidhur dhe e pakëndshme nuk do të dëmtojë pacientin”, u shpreh Guvernatori Sejko teksa shtoi se rritja ekonomike pritet të mbetet në territor pozitiv, ndërsa recesioni shfaqet si rrezik material vetëm në skenarë ekstremë të zhvillimeve në ambientin e huaj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sfidë për kostot e jetesës e planet afatgjata

Inflacioni/ Guvernatori Sejko: Niveli më i lartë që nga 1998